E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Ushtarakët duhet ta parandalonin "Gërdecin"

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, flet pas punës 7-javore në studion e "Top Show"-t, të moderatorit Alban Dudushi. Oketa debatoi me një panel gazetarësh dhe analistësh. Ngjarja e Gërdecit, reformat në ushtri, shkarkimi i gjeneralëve, MEICO, Shqipëria në NATO, misionet paqeruajtëse nga Afganistani në Irak e Bosnjë, ishin pikat ku u fokusua debati i ministrit të Mbrojtjes me analistët dhe gazetarët Alfred Peza, Edi Zaloshnja e Mentor Nazarko.

Ngjarja e Gërdecit dhe tronditja që pësoi Ministria e Mbrojtjes... Si po dilet nga kjo situatë?

Ajo që ndodhi në Gërdec ishte një ngjarje e rëndë, që do të komentohet për disa kohë, besoj edhe pas zbardhjes përfundimtare. Është një histori që nuk duhet harruar. Unë kam deklaruar se në atë ministri askush nuk duhet të sillet sikur me largimin e Mediut u zgjidh gjithçka, por u kam bërë të qartë edhe faktin që puna vazhdon dhe kemi sfida të tjera përpara. Jam munduar të çoj para punën në atë ministri dhe t‘i motivoj të përballojmë sfidat që kemi, si anëtarësimi në NATO, angazhimet me partnerët ndërkombëtarë, por edhe zbatimin e detyrave kushtetuese.

Keni kryer hetime dhe cilët janë, sipas jush, përgjegjësit?

Jo vetëm unë, por çdo ministër apo funksionar nuk duhet të marrë përsipër të bëjë hetime, ndërkohë që është një organ tjetër që po bën këtë detyrë.

Po nga SHIU, a është kryer një hetim?

Mendoj se duke respektuar institucionet ndihmojmë në ndërtimin e shtetit ligjor. Prokuroria ka filluar hetimet. Unë kam qenë jashtë mase i kujdesshëm. E kam deklaruar se do të mbështes punën e prokurorisë dhe hetimet e këtij institucioni. Kemi bërë një vëzhgim të kujdesshëm. Si ministër, kam bërë një analizë personale dhe mendoj se disa persona kanë përgjegjësinë e tyre administrative.

Po vetë qeveria, a duhet të bënte një analizë? Pse nuk është bërë deri më sot dhe a mendoni se shteti nuk funksionoi?

Përsëris edhe njëherë faktin se nuk duhet të ndërhyjmë në hetimet e pavarura. Nuk mendoj se shteti nuk funksionoi. Shteti funksionoi tepër normalisht dhe këto nuk janë fjalët e ministrit të Mbrojtjes, por mendimi i thënë hapur dhe tepër pozitivisht për funksionimin e shtetit në momentet e ndodhjes së tragjedisë e pas saj. Këtë e kanë theksuar shumë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët ishin pranë nesh në atë situatë. Pas Gërdecit, shteti funksionoi mjaft mirë, por edhe para tij ka funksionuar. Nuk ka qenë faji i shtetit. Në rast se do të shohim se ku kanë çaluar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e ministrit, këto i përkasin prokurorisë. Ajo që ndodhi erdhi për shkak se në një fabrikë demontimi nuk u zbatuan rregullat për demontimin e armëve.

Në SHBA kemi katër hetime paralele nga institucione dhe komisione të ndryshme, ndërsa ju mjaftoheni te prokuroria. A ju duket paksa paradoksale?

Po e ritheksoj: unë kam bërë një analizë timen. Në bazë të një urdhri të ish-ministrit Mediu është ngritur një grup pune, që ka bërë një analizë e që për mua nuk thotë asgjë. Në rast se unë do të krijoja grup hetimi, do të ndërhyja në punën e prokurorisë, dhe kjo do të ishte e pashmangshme. Kam mbështetur punën e prokurorisë dhe u kemi venë në dispozicion ekspertëve amerikanë dhe shqiptarë gjithçka që ju është dashur. Kam bërë një analizë administrative. Ligjoren po e bën prokuroria. Analizën morale dhe politike e bëri zoti Mediu me dorëheqjen e tij. Zbardhja e ngjarjes do të nxjerrë përgjegjësitë e gjithkujt, edhe ato politike, për të cilat unë mendoj që janë marrë që nga dorëheqja e Mediut.

A po funksionon në parametrat e duhur Shtabi i Përgjithshëm?

Shtabi funksionon. Nuk mund të them 100 për qind, sepse atje ka pasur një traumë që duhet ta kalojmë dhe askush nuk ka pse ndjehet fajtor kur nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, por edhe të mos sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Përgjegjësia është vetëm e pjesës civile apo edhe e Shtabit të Përgjithshëm? Ǒmasa janë marrë në pjesën ushtarake?

Kam përshtypjen se nuk kam ndenjur duarkryq edhe në lidhje me Shtabin e Përgjithshëm. Që në momentin e parë kam liruar 4 ushtarakë, njëri prej të cilëve është arrestuar. Së fundi, kam liruar dy gjeneralë, të cilët i kam thirrur në zyrë dje. I kam thirrur, pasi më ka ardhur dekreti i Presidentit dhe ua kam komunikuar. Ushtarakët mund dhe duhet të kishin parandaluar një tragjedi të tillë. Por unë mendoj se detyra e ushtarakut nuk mbaron duke çuar armatim në derën e magazinës dhe më pas të mos interesohet sesi demontohen apo ç‘bëhet me këto armatime.

Janë shkarkuar disa ushtarakë të lartë. Përse?

Për shkak të përgjegjësive administrative. Askush nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për të gjithë ata që kanë përgjegjësi administrative, unë do të marr vendimet e duhura.

A është qeveria ajo që i hapi rrugë tragjedisë së Gërdecit, duke lejuar demontimin nga firmat private dhe pa kontrolluar kushtet e sigurisë?

Qeveria mori një vendim për t‘i dhënë zgjidhje një problemi kombëtar. Çështja e demilitarizimit është tepër e rëndësishme për vendin tonë. Janë 100 mijë tonë armatime, që duhet të shkatërrohen, dhe për të zgjidhur këtë problem kombëtar, qeveria mori këtë vendim. Në rast se ky vendim ka ndonjë pikë që nuk është e pasaktë apo ka çaluar, ta analizojmë.

Duket se një pjesë e politikës dhe qeverisë nuk ka besim te puna që po bën prokuroria?

Mendoj se Kryeministri, qeveria dhe deputetët kanë besim te prokuroria e drejtësia. Qëndrimi i republikanëve dhe zotit Godo është qëndrim i tyre. Vetë Mediu ka deklaruar se nuk do të fshihet pas imunitetit, ndërsa procedurat parlamentare janë të tilla, dhe mazhoranca ka deklaruar se do të votojë për heqjen e imunitetit sapo të vijë kërkesa.

"New York Times" ka shkuar deri te lidhjet e djalit dhe vetë Kryeministrit në lidhje me trafikun e armëve...

Vetë Kryeministri i ka dhënë sqarimet për atë çështje. Vetë Trebicka që ngriti këto aludime dha më pas disa sqarime, duke zbardhur më tej të vërtetën... Ne nuk mund të rrimë peng i aludimeve.

Ǒpo bëhet me ndërmarrjen MEICO, pasi u akuzua dhe fol për shumë trafiqe?

Në rast se Ylli Pinari ka bërë kontrabandë duke përdorur vulën e MEICO-s, kjo nuk do të thotë që e bën MEICO. Dhe më lejoni të sqarohem. Dhe në rast se abuzon një person në ministri nuk është faji i së gjithë ministrisë. Ai ka keqpërdorur emrin e MEICO-s. Ylli Pinari ka shkelur procedurat dhe MEICO është përmendur për shkak të shkeljes së këtyre procedurave.

Çfarë ka ndryshuar?

Është ndryshuar bordi drejtues i MEICO-s, është emëruar zoti Granit Leka në drejtimin e këtij institucioni, një specialist armatimesh. Ka qenë zv/drejtor, por i papërfshirë në asnjë aferë. Emërimi i tij ka kaluar një procedurë të imtësishme. Së shpejti do të ketë një riorganizim të kësaj ndërmarrjeje, pasi ka strukturë shumë të fryrë. Në atë ministri, cilido që do të bëjë çfarëdo abuzimi, sado të vogël, do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe pasojat që lindin nga ky abuzim. Nuk mund të njollosen të gjithë njerëzit dhe institucioni për abuzimin e një individi. Prandaj edhe më sipër unë e ndava Pinarin nga MEICO.

Trafiku i armëve. A do t‘i hapni arkivat duke filluar që nga shitja e tankeve për skrap etj., si këto?

Çfarë është brenda Ministrisë së Mbrojtjes, jam i gatshëm të vendos në dispozicion të gjitha dokumentet. Ka disa dokumente të klasifikuara që nuk mund të shihen nga kushdo. Por për të tjerat jam i hapur për gjithçka që mund t‘i interesojë edhe një qytetari të thjeshtë.

Çdo të bëhet me kontratat e lidhura deri tani dhe ato të përfolura?

Kontrata me SAC, që në momentin e shpërthimit, është e mbaruar. Të gjitha ato kontrata që janë të rregullta dhe legale do të vazhdojnë. Ndërsa kontrata e tankeve apo avionëve për skrap është e mbyllur. Të gjitha ato municione që sjellin të ardhura për ekonominë do tentojmë t‘i marrim. Ato që janë të rrezikshëm do demontohen. Së shpejti do të kemi një strategji më të qartë me kostot ekonomike dhe fillimisht do të synohet demontimi i armëve më të rrezikshme. Ka edhe një ide tjetër që, të ardhurat e krijuara nga shitjet e tankeve dhe avionëve të mblidhen dhe të kalojnë për çmilitarizimin.

Ǒdo të ndryshojë më tej për demontimin e armëve dhe a do t‘i jepen biznesit privat sërish?

Nga urdhrat e parë që kam firmosur është një që detyron të gjitha subjektet të pajisen më certifikatë sigurie. Që do të thotë se do të kalojnë në filtrat e institucioneve të sigurisë kombëtare. Ky urdhër gjithashtu detyron të gjitha vendet e demontimit të pajisen me certifikatë sigurie. Pas përmbushjes së standardeve dhe certifikimit do të fillojë zbatimi, në mënyrë që firma si Delijorgji të mos merren e të bëjnë punë të tilla.

Cilat janë masat që po merren në ministri dhe Shtab pas emërimit tuaj në krye të institucionit?

Kemi ngritur një grup pune për një strukturë të re organizative, pasi kemi një organikë me funksione të dubluara. Në atë ministri civilët dhe ushtarakët duhet të ndjehen njësoj. Jemi në përfundim të skemës organizative, që do të pasohet me një zinxhir të qartë funksionimi e komandimi dhe cilët do të jenë personat që do të kenë në dorë informacione të rezervuara, e të tjera si këto.

Një firmë ka lëshuar disa akuza në lidhje me një tender ilaçesh, i zhvilluar në Spitalin Ushtarak. Cili është qëndrimi juaj?

Jam informuar dje, nëpërmjet një SMS-je, në lidhje me pretendimet e tyre për një tender. Kam ngarkuar drejtorin e kabinetit, i cili ka bërë menjëherë edhe kontaktin e parë. Zotëria i ka paraqitur një shkresë italisht shefit të kabinetit, që datonte diku më 24 prill. I është kërkuar që ta dorëzojë zyrtarisht. Kam informacion që ende nuk e ka dorëzuar, por sipas informacionit që ka Spitali Ushtarak rezulton se kompania nuk plotëson asnjë kërkesë të vendosur nga Kooperacioni Italian, pasi është ai institucioni që vendos kriteret e këtij tenderi.

Ju konsideroheni si njeriu i Bamir Topit dhe pjesë e grupit të tij në PD...

Unë jam mik i Bamir Topit. Si ai, kam edhe shumë miq të tjerë. Jam dhe mik i Kryeministrit dhe i shumë deputetëve e ministrave. Nuk e di pse ju keni këtë perceptim? Në pozicionet që kemi, marrëdhëniet rregullohen mbi baza ligjore dhe institucionale. Personalisht të tilla marrëdhënie kam pasur me Kryeministrin Berisha kur kam punuar si zëvendës i tij dhe marrëdhëniet jashtë zyrave të punës kanë qenë tepër korrekte e miqësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›