E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë e rrjetave, optimistë me anglezet

Humbja në miqësoren e fundit me malazezet në pallatin e sportit "Ramazan Njala" është lënë pas nga pankina kuqezi. E gjithë vëmendja e përfaqësueses shqiptare të rrjetave tashmë është drejtuar te sfida e 8 Majit me Anglinë për eleminatoret e kampionat europian. Kur duhen edhe dy ditë nga përplasja me "ishulloret" në Shefild të Anglisë, zëvendëstrajneri i ekipit kombëtar, Hasan Gurabardhi është dukur shumë optimist. "Dua të them që të gjitha volejbollistet ndjehen shumë mirë fizikisht përpara takimit me Anglinë. Sidomos dyshja titullare e kombëtares sonë që luan jashtë, Amarilda Prenga dhe Rubena Sukaj gëzojnë edhe ato një formë të shkëlqyer. C'ka do të thotë që ne kemi shumë mundësi për t'u kualifikuar për në turin tjetër të Evropianit dhe që realisht ka për të ndodhur", u shpreh ditën e djeshme për ‘Panorama Sport', numri dy i stolit kuqezi, Hasan Gurabardhi. Nga Federata Shqiptare e Volejbollit theksohet se nisja në drejtim të Britanisë së Madhe do të bëhet nesër në orët e para të mëngjesit, ndërsa takimi do të zhvillohet në orën 18:00, një ditë më pas në Shefild. Mbrëmjen e së shtunës të besuarat e Gorenxës dhe Gurabardhit u mundën në miqësore me rezultatin 2-3 nga Mali i Zi edhe pse e kërkuan fitoren me ngulm për 120 minuta lojë. Kjo ndeshje shërbeu edhe si një test në prag të kualifikueseve të Evropianit. Ndërkohë ndeshja e kthimit Shqipëri-Britani e Madhe do të luhet më 11 maj në Durrës.
Takimi i 8 majit ka bërë jehonë edhe në mediat britanike. Në faqen zyrtare të Federatës Angleze të Volejbollit citohet se pas miqësores me Danimarkën, përfaqësuesja është fokusuar e gjitha në ndeshjen me Shqipërinë, e cila nuk mendohet se do të jetë e lehtë. Madje ata nuk e kanë harruar ende humbjen që pësuan në eleminatoret e kampionatit botëror në janar të 2005-ës dhe në të njëjtin pallat sporti ku do të luajnë më 8 maj. Në miqësoren e fundit ndaj Danimarkës, kundërshtarja jonë fitoi me rezultatin e pastër 3-0(25-19, 25-16, 25-20). Një lojë të mirë për vendaset kishte bërë Rakel Breg dhe Zhanin Sendëll.

14 volejbolliste janë grumbulluar me ekipin kombëtar nga trajnerët Adrian Gorenxa dhe Hasan Gurabardhi për eleminatoret e kampionatit evropian. Nga këto vetëm dy luajnë jashtë Shqipërisë. Amarilda Prenga aktivizohet në Francë, ndërsa Rubena Sukaj në Amerikë

Britania e Madhe
Lusi Viks, Nikola Osborn, Rakel Leiborn, Xhenifer Tejlër, Maria Berteli, Rakel Breg, Elisabet Reid, Jena Stevens-Smith, Loren Uilliams, Zhanin Sendëll, Rakel Kolei, Grejs Karter, Laura Bërdsmor, Xhenifer Tom, Paula Skot, Joan Morgan, Lin Biti, Karen Blek, Steisi O'Konër

Shqipëria
Arjola Prenga, Kleda Shkurti, Dorina Hysenbelli, Klonarda Nezaj, Geri Neli, Iva Xhixha, Edlira Huqi, Enkeleda Braho, Xhozafa Mecollari, Borana Begic, Esmeralda Tuci, Gentiana Kadiu, Amarilda Prenga, Rubena Sukaj

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›