Prizreni: “I kënaqur me veten, por jo me shtetin”

Olimpisti Sahit Prizreni po vazhdon rregullisht stërvitjet në Kosovë në prag të Olimpiadës. Pas Kampionatit Evropian të Finlandës, Prizreni po mendon për turneun e radhës në Bullgari që mund të jetë edhe i fundit përpara "Pekin 2008". "Për momentin po vazhdoj përgatitjet në Kosovë. Seancat stërvitore kanë shkuar shumë mirë megjithëse kam patur edhe dëmtime të cilat ndodhin zakonisht në sportin tonë. Realisht gjatë kësaj kohe jam marr më shumë me fazën fizike duke qenë se kemi 3 muaj në dispozicion. Dhe kjo gërshetohet me stërvitjen në tapet. Ndërkohë synimi i radhës do të jetë pjesëmarrja në turneun e Bullgarisë, që mund të jetë edhe e fundit për mua përpara Olimpiadës. Ky turne do të na ndihmojë pasi ka shumë shanse që të vijnë mundësat më të mirë ose edhe ata do të jenë në Olimpiadë. Pra do të kemi favorin që të testojnë si veten, por të njohim edhe më shumë me kundërshtarët. Megjithëse realisht nuk është se po stërvitemi për këtë turne pasi sic dihet objektiv i ynë mbetet vetëm Olimpiada", deklaroi për ‘Panorama Sport', Prizreni. Ajo që e shqetëson më shumë medalistin është indiferenca e Ministrisë së Sporteve, KOKSH-it dhe vetë Federatës së Mundjes. "Edhe pse kam kohë që stërvitem dhe jam i kënaqur me formën sportive, ende nuk po shoh ndonjë lëvizje nga KOKSH-i, MTKRS apo edhe nga Federata. Dua të them se unë vazhdoj të stërvitem me lekët e mia të gjitha shpenzimet po i heq nga xhepi im. Shpresoj që këta të bëjnë dicka dhe ta zgjidhin këtë problem. Deri tani nuk po shoh ndonjë gjë. Kam përshtypjen se do të shkojmë në Olimpiadë me paratë tona", përfundoi Prizreni.
O. Serani