E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë, sot fitorja e flamurit

30/03/2005  Kundër Greqisë, Brigel mund të zbresë të njëjtën skuadër si kundër Turqisë, me të vetmin ndryshim: Licin në vend të Aliajt, i skualifikuar.

Në një situatë tepër të tensionuar dhe jo shumë premtuese, gjithsesi të dyja skuadrat, si Greqia, ashtu edhe Shqipëria, kanë vazhduar normalisht përgatitjet e tyre, në kuadër të përmbushjes së synimeve për ndeshjen e sotme. Skualifikimi i Aliajt, pas kartonit të verdhë në ndeshjen me Turqinë, e futi Kombëtaren tonë, në një situatë të pakëndshme. Përveç mungesave të shumta për shkak të dëmtimeve, tashmë trajnerit Brigel, i duhet të ideojë një 11-she pa mbrojtësin Aliaj. Humbja e së shtunës në Stamboll, u ka dhënë një goditje të rëndë. Tashmë duket se as mrekullia nuk do të mundet të ngjallë më shpresat e shqiptarëve, për arritjen e vendit të dytë në grupin 2. Megjithatë, djemtë e Shqipërisë duken të karikuar në prag të ndeshjes së sotme, kundër grekëve. Kjo, për vetë faktin se historikisht, një ndeshje e tillë është konsideruar si një derbi i vogël i Ballkanit. Por, përveç kësaj, këtu kanë ndikuar edhe marrëdhëniet jo të mira mes dy shteteve, të cilat shpesh janë pasqyruar edhe në përplasjet mes dy Kombëtareve. Një gjë e tillë duket se nuk do të mungojë as kësaj here, pasi pa nisur mirë, është verifikuar një numër i madh incidentesh. Në deklaratën e djeshme për shtyp, trajneri ka deklaruar se ende nuk ka vendosur se cila do të jetë skuadra që do të zbresë sot në fushë. Në stërvitjen e djeshme, Brigeli ka provuar disa skema, por që asnjëra nuk mund të quhet përfundimtare. Problemi i vetëm mbetet mbrotja. Pas konfirmimit për pamundësinë e ardhjes së Hasit, trajneri duket se ka vendosur që në vend të Aliajt të skualifikuar, të hedhë në krahun e majtë të mbrojtjes, Suad Licin, një tjetër futbollist të kampionatit shqiptar. Pjesa tjetër e repartit të mbrojtjes do të përbëhet nga Beqiri e Dallku. Ndërsa, për sa u përket reparteve të tjera, mendohet se do të luajnë të njëjtët futbollistë që kanë luajtur edhe kundër Turqisë, të shtunën. Mesfusha me 5 futbollistë, Haxhi, Cana, Lala, Skela e Duro, ndërsa sulmin do t’ia besojë sërish dyshes shqiptare të serisë A, Tare-Bogdani. Mungesa e sigurt në kampin kundërshtar është ajo e Dellas, kështuqë trajneri Rehagel do të zbresë në fushë, të njëjtën skuadër që luajti 4 ditë më parë në fitoren kundër Gjeorgjisë, 1-3.

Brigel: Futboll, “Jo” politikë!

Nga Athina Agron Kaja

Situata e tensionuar në prag të ndeshjes së sotme, Greqi-Shqipëri, nuk kishte se si të kalonte pa u pasqyruar edhe nga fjalët e thëna nga trajneri i Kombëtares sonë, Hans Peter Briegel, në konferencën e djeshme për shtyp. Pas ndryshimit të orarit dhe incidenteve të ndodhura në stadium, trajneri gjerman ka dalë përpara gazetarëve të shumtë të interesuar. “Përballohemi me probleme të shumta dëmtimesh në këto tri ndeshjet e fundit - është shprehur dje, Brigel, në lidhje me gjendjen e skuadrës tonë Kombëtare, e cila vuan mungesat e disa prej lojtarëve të saj kryesorë. Kjo na ka dëmtuar shumë, sepse kemi humbur nga mbrojtësit tanë. Për këtë arsye ndoshta Greqia mund ta ketë më të lehtë. Natyrisht që ne do të përpiqemi për më të mirën, do të luajmë fort dhe do të synojmë të marrim më të mirën”. Po ashtu, trajneri gjerman i shqiptarëve ka pohuar se alternativat kanë ndikuar edhe në vonesën e zgjedhjeve të tij për formacionin që do të zbresë sot në fushë. “Nuk e kam përfunduar akoma formacionin, me të cilin do të luajmë - vazhdoi më tej Brigel. Nëser do të vendos”. Po ashtu “timonieri” i Shqipërisë është prononcuar edhe në lidhje me atmosferën e tensionuar, e cila për të është një absurditet. Dhe për një gjë të tillë ka të drejtë, pasi si për të, ashtu edhe për trajnerin tjetër gjerman, atë të vetë grekëve, gjëra të tilla janë të pakonceptueshme. “Nuk arrij ta kuptoj se çfarë po ndodh. Të gjithë këto incidente që kanë ndodhur duket se nuk i përkasin fare futbollit. Më duhet të theksoj se futbolli është krejt i ndarë nga politika. Një fakt i tillë mjafton që të gjithë duhet të jenë të gëzuar”. Me këtë rast ai ka kujtuar edhe një eksperiencë të tillë të kahershme pikërisht në Greqi, atëherë kur luante në radhët e Veronës. “Atmosfera më kujton të njëjtën amosferë që kam ndeshur si lojtar, kur kam luajtur me Veronën, në ndeshjen kundër Pasokut në Selanik – shtoi Brigeli. Edhe atëherë shkonim në stadium të shoqëruar nga forca të shumta të policisë. Nuk është një gjë e mirë për futbollin, që një ekip futbolli të shoqërohet nga policia”. I ngacmuar nga gazetarët e shumtë në konferencën për shtyp, në lidhje me “armikun e tij intim” dhe njëkohësisht kundërshtarin e sotëm, Otto Rehagel. “Luan Greqia me Shqipërinë dhe ‘Jo’, Rehageli kundër Brigelit”, ka mbyllur trajneri i Shqipërisë.

Brigel “çorienton” mediat

Mediat e shkruara dhe vizive e kanë vuajtur shumë pjesëmarrjen e tyre në konferencën për shtyp, të trajnerit të Kombëtares shqiptare Hans Peter Briegel. Numri “Një” i pankinës kuqezi ka ndryshuar programin e tij. Më parë ishte lajmëruar se Brigel do të dilte para gazetarëve në orën 19.00, (me orën tonë 18.00). Pikërisht në këtë moment, kishin mbërritur në hollin e hotelit “Ledra Marriot”, mbi 50 kamera dhe një numër shumë i madh gazetarësh grekë e shqiptarë. Por, atëherë kur pritej që trajneri i Kombëtares sonë të dilte para gazetarëve, është mësuar se ai do të dalë në konferencë për shtyp, rreth një orë më vonë, kohë kjo, që përkonte me përfundimin e stërvitjes së fundit të kuqezinjve para ndeshjes së sotme.

Rehagel: Entuziazëm “Po”, fanatizëm “Jo”!

Edhe trajneri i Greqisë, Oto Rehagel ka lëshuar mesazhin e tij kundër dhunës, në prag të ndeshjes së sotme. “Entuziazëm ‘Po’, fanatizëm ‘Jo’, ka theksuar Rehagel, në intervistën e djeshme të dhënë për mediat. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi në qoftë se ndodh diçka në shkallët e stadiumit, kemi për t’u dënuar nga FIFA”. Më pas, ai është përqëndruar në anën futbollistike të takimit të sotëm, duke shënjestruar objektivitetin e skuadrës helene. “Na intereson vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër, vazhdoi trajneri gjerman. Motivi ynë i vetëm janë tri pikët dhe lojtarët janë të gatshëm për këtë”. Megjithatë, Rehagel nuk e nënvlerëson Shqipërinë dhe ka nënvizuar vështirësinë e kësaj përballjeje. “Futbolli është i paparashikueshëm, tha ai. Nuk mund të parashikosh që tani se si mund të shkojë kjo ndeshje. Po të shikosh se me çfarë lojtarësh luante Shqipëria kundër Turqisë, do të të bjerë në sy se përveç dy lojtarëve, të tjerët luajnë në Kampionatet Evropiane”. I pyetur nga gazetarët për taktikën që do të përdorë në ndeshje, Rehagel refuzoi të prononcohej. “Nuk flas kurrë për anën teknike para ndeshjes”, përfundoi trajneri i përfaqësueses helene.

A.Pepa

Hasi, i pamundur për Kombëtaren

Dëmtimet e shumë lojtarëve të rëndësishëm, si dhe skualifikimi i Aliajt, për 2 kartona të verdhë të marrë në eliminatore, i kushtëzuan shumë alternativat e Brigelit, për repartin e mbrojtjes në prag të ndeshjes me Greqinë. Menjëherë pas sfidës së humbur me Turqinë, trajneri gjerman kërkoi që të vihet në dispozicion të tij, Besnik Hasi, kosovari i Anderletit, i cili nuk ishte përfshirë në listën e mëparshme, pasi vuante prej më shumë se dy muajsh nga një dëmtim në këmbë. Por, këto shpresa janë shuar pasditen e djeshme, kur është mësuar se Brigel nuk mund të gëzojë shërbimin e Hasit. Burime pranë Kombëtares kanë bërë të ditur: “Hasi nuk do t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit. Kjo, për faktin se klubi belg nuk e ka mirëpritur ftesën e Brigelit, për të lënë të lirë lojtarin. Sipas tyre, Hasi nuk mund të grumbullohet në Kombëtare, pasi prej dy muajsh vuan dëmtimin në këmbë dhe, aktivizimi i tij do të ishte shumë i rrezikshëm”. Një gjë e tillë është pranuar pa polemika nga trajneri i Shqipërisë, Hans Peter Brigel. A. Kaja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›