E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marie Steiss, një modele ndryshe

Sy intrigues, të thellë, me ngjyrë blu. Buzë mishtore dhe të kuqe. Përmasat tamam si të një manekini. Një fytyrë e bukur, por më tepër një vajzë e zgjuar. Marie de Villepin, për të fshehur origjinën e saj si vajza e një ish-kryeministri francez, ka arritur të ecë në botën e modës me emrin e rremë Marie Steiss. Është 21 vjeçe dhe ka një eksperiencë jete të pazakontë për moshën e saj. E lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rritur me Indisë, Amerikës Latine dhe Afrikës, Marie nuk është një vajzë si gjithë të tjerat. Modele dhe aktore, por edhe një femër e shkolluar. Ndoshta tradita familjare e ka shtyrë të studiojë dhe të përfundojë shkëlqyeshëm studimet në Biznes dhe Ekonomi Ndërkombëtare. Sot ajo është imazhi i shumë firmave të njohura në botën e modës, përveçse dhe një nga modelet më të preferuara për stilistët. Jeta që Marie bën në Nju Jork është shumë ndryshe nga ajo që hija e mbiemrit të saj mund t‘i siguronte në Francë.

"Jetoj në një apartament 40 metra katrorë në Çelsi, të cilin e ndaj me katër ose pesë vajza të tjera", tregon ajo. Gjatë ditës punon, në darkë ndjek kurse të politikës ndërkombëtare dhe aktrim, ndërsa në kohën e lirë shkon të vallëzojë ose të luajë në Manhattan dhe Brooklyn. Me pak fjalë, Marie kërkon të jetë vetvetja dhe mbi të gjitha dëshiron të trajtohet si të gjitha vajzat e tjera, në Nju Jorkun që arrin t‘i ofrojë "mundësi të njëjta, ato që në Francë, për shkak të lidhjes së saj me politikën, nuk do të mund t‘i kishte. Marie de Villepin, vajza e bukur dhe elegante e ish-kryeministrit francez, Domenik, ka vite që është "arratisur" drejt Nju Jorkut me emër të rremë për të bërë karrierë, e pavarur nga fama e të atit. Emri i saj i ri është Marie Steiss dhe është një nga shumë modelet njëzetvjeçare në kërkim të fatit dhe famës në "tokën e premtuar". "Në Nju Jork jam Marie Steiss, askush nuk e di emrin tim të vërtetë. Dëshiroj me çdo kusht të qëndroj anonime dhe vazhdoj të insistoj në këtë pikë. Dua t‘ia dal mbanë e vetme, të mos ndiej peshën e emrit tim të vërtetë, ose më keq akoma të mos përfitoj nga të mirat që mund të më sjellë", ka nënvizuar ajo. Flokë bionde të gjatë, sy të bukur bojëqielli, 55 kilogramë dhe një gjatësi prej 1 metër e 80 cm. Ish-kryeministri francez, Dominique de Villepin, nuk dëshironte që vajza e tij, Marie, të bëhej modele, ndaj është përpjekur me të gjitha mënyrat për ta ndaluar, por pa ia dalë mbanë.

"Kam bërë gjithçka për ta penguar, por nuk ia kam arritur dot. Është dëshira e saj. Kur e mora vesh se punonte me një emër tjetër u skandalizova. Përse e bëre diçka të tillë i thashë. Dhe ajo m‘u përgjigj: ‘Dua të jem vetvetja, dua t‘ia dal mbanë pa ndihmën tënde‘". Marie ka marrë pjesë në sfilatat e stilistëve më të mëdhenj si: Givenchy, Valentino, Giorgio Armani e Channel. Fillimet e karrierës së saj i takojnë sfilatave të stilistit Franc Sorbier. Marie duket se do të ndjekë gjurmët e të vëllait Arthur, model për një fushatë publicitare në Kirzia. Ajo pozon gjithashtu edhe për revistat prestigjioze si "Elle" apo "Vogue".

Përse kjo zgjedhje, studimet në Ekonomi dhe një punë si modele?

Studimet janë një udhëtim i detyruar në jetë. Janë një disiplinë e nevojshme për të jetuar. Nga ana tjetër, bukuria është diçka e ndryshme, që nuk ka lidhje fare me këtë. Mund të jetë për një farë kohe dhe pastaj të zhduket. Kështu thotë edhe Volteri, ajo që duhet të kultivosh është brendësia jote, sepse bukuria është shumë e brishtë. Pikërisht për këtë arsye vendosa ta luaj tani këtë pjesë: vetëm një herë të jepet mundësia të bësh gjërat që do në jetë. Kam studiuar dhe do të vazhdoj të studioj për t‘u treguar prindërve të mi se jam në gjendje t‘i bëj të dyja gjërat së bashku.

Në ambientin ku ti punon je konsideruar si një shembull anormal për studimet që ke ndjekur?

Në dhomat ku ne përgatitemi për sfilatat lexohet shumë. Mund t‘ju duket e pabesueshme, por nga çantat e kolegeve të mia dalin shpesh libra të autorëve klasikë, duke nisur që nga Dostojevski dhe Tolstoi. Për shembull kolegia ime lexon shumë.

Disa nga koleget e tua merren edhe me bamirësi, duke treguar një aspekt të ndjeshëm të shpirtit të tyre. Çfarë mendon?

Jam rritur duke jetuar në vende të ndryshme. Kam njohur dhe krahasuar realitete krejtësisht të kundërta mes tyre që më bën të mendohem çdo ditë. Mundohem të kujdesem për ata që vuajnë, por shpesh tregohem e rezervuar dhe i mbaj gjërat për vete, sepse nuk dua që kjo të kthehet në një biznes.

Cilat janë eksperiencat që ju kanë goditur më shumë në këtë fushë?

Mendoj për Darfurin dhe Kuvajtin. Kam vizituar qendra fëmijësh jetimë. Në veçanti kujdesem për fëmijët që vuajnë nga një sëmundje e trashëgueshme, akoma e pashërueshme, që lidhet me sistemin respirator. Por edhe për gratë e dhunuara dhe pa përkrahje. Situata këto, që për fat të keq janë pjesë e jetës sonë.

Ku mendon se do jesh pas 20 vjetësh?

Nuk e di, jetoj të tashmen. Nuk mendoj për të ardhmen. Por me siguri që nuk do të jem më modele dhe do të vazhdoj të ndjek pasionet e mia, si arkitektura, politika ndërkombëtare dhe kinemaja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›