E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur drejtuesi i së majtës s’kupton se është një hiç para sovranit

Demokracia e vërtetë është pushteti i popullit. Partitë dhe drejtuesit e tyre janë vetëm shërbestarët e këtij. Sovrani nuk është soditës, por pjesëmarrës aktiv në qeverisjen e vendit. Prandaj ai e di mirë se ku i pikon çatia shtetit. Ku janë sukseset dhe vështirësitë e realizimit të reformave. Sa legjitim është pushteti, që ka dalë nga vullneti i tij. Cilët janë shërbestarët e tij të sinqertë? Nuk është sovrani sot një “kopé” e trembur, që shkon edhe në greminë, nëse atje hidhet dashi i tufës. Nuk është populli ai “shkopi”, me të cilin shteti diktatorial nënshtronte skllevërit modernë, duke i detyruar të godisnin njëri tjetrin. Sovrani është sot arbitri më i pakontestueshëm i ndërrimit të partive në krye të skakierës politike. Nuk të lejon sot ai t’i shkatërrosh të ardhmen për synimet e tua personale, apo partiake. Perëndoi koha e partisë-shtet, apo e kultit të individit. Sovrani të drejton, të këshillon, por dhe të ndëshkon me përfaqësuesit e vet në parlamet. Atje ku është tempulli, në të cilin ai shenjtëron vullnetin i tij të lirë. Kush nuk përfill kuvendin, nuk përfill vetë sovranin. Diktaturat gjithmonë janë tallur me vullnetin e popullit, duke i nëpërkëmbur atij votën e lirë. Kur shtresa të tëra persekutoheshin padrejtësisht dhe mijra individëve u merrej jeta pa faj, diktatura deklaronte solemnisht se të gjithë, pa përjashtim, votonin për të, për ata që ua nxinin çdo ditë jetën. Njerëzit cilësoheshin si “kapitali më i çmuar” dhe nuk u garantohej as e drejta më elementare (Me përjashtim të atyre që ia kishin shitur shpirtin djallit!). Populli detyrohej me “dajak” të duartrokiste padrejtësinë, të bëhej, madjé, dhe bashkautor i krimeve të komunizmit. Dhe, kur liderët komunistë hanin kokat e njëri tjetrit, pasojat i hiqte në kurriz populli. Prandaj qarkullonte shprehja shpotitëse: “Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët!”. Votimi ishte në dikaturë akti më “emblematik”, me të cilin ajo tallej me vullnetin e sovranit. Mirëpo, meqë përsosmëria e një procesi zgjedhor nuk ka fund dhe kjo nuk arrihet menjëherë, sharlatanët politikë, si Edvin Rama me kompanínë e tij, spekulojnë me standardet ideale për të mos pranuar humbjen e tyre, që të realizojnë kështu ambiciet e veta për pushtet të pamerituar. Dhe, ashtu si diktatura, e cila dënonte çdo individ që shprehej i pakënaqur për farsën e zgjedhjeve, Rama ndëshkon sot sovranin duke bllokuar reformat e tij me bojkotimin e parlamentit. Dhe këtë akt antikombëtar e kryen mbi bazën e akuzave të paqëna, të manipulimeve të sajuara me shpifje sharlatanësh profesionistë. Dhe, si për ta vërtetuar diktatin e tij absurd, kërcënon haptas me përjashtim nga partia gjithë ata deputetë të tij, që mendojnë ndryshe. Kur “faji” i tyre i vetëm është vetëm përgjegjësía e lartë qytetare që këta ndiejnë për të përmbushur detyrimin moral e ligjor ndaj atyre, që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në parlament. Ndërkohë elektorati (i majtë dhe i djathtë), që është bërë sot i vetëdijshëm për sovranitetin e tij, çuditet me guximin e çmendur të Edvin Ramës, këtij megalomani të krisur, i cili arrin të marrë nëpër këmbë edhe aspiratat e “padronit” të gjithpushtetshëm vetëm për ambiciet e veta meskine. Asnjë njerí i përgjegjshëm nuk do të kishte kurajë të ndëshkonte kështu sovranin në kushtet e demokracisë. Diktatura enveriste i pështynte njëmijë herë zgjedhjet e sovranit, nëse prej tyre nuk mbetej i kënaqur Titua, Stalini, apo Mao Ce Duni. Kurse Edvin Rama, edhe kur miqtë e mëdhenj të Shqipërisë shprehen optomistë për nivelin e arritjeve të zgjedhjeve të 22 qershorit, hedh vickla dhe dikton kushte, me të cilat tall veten dhe ul imazhin e partisë që përfaqëson. Kurse në rrafshin kombëtar pengon sovranin të ecë në rrugën e integrimit, ku e presin krahëhapur partnerët ndërkombëtarë, që e këshillojnë edhe atë me urtësi ta zhvillojë betejën e votës së lirë brenda parlamentit. Këmbëngulja e Ramës për ta vazhduar pa kufi bojkotin, tregon se arrogancës komuniste nuk i janë prerë “thonjtë” e hekurt dhe se fryma konfliktuale komuniste tenton t’i diktojë demokracisë kushtet e saj bllokuese për reformat madhore, që do të jenë dhe fundi i agonisë së krimit të papenduar komunist, si dhe i korrupsionit shkatërrues të nostalgjikëve fanatikë të asaj bote, që tashmë ka perënduar. Të gjitha diktaturat vërtiten me tërbim rreth votës së sovranit. Ato e ndëshkonin këtë, edhe pse e detyronin të votonte pa ditur as emrin e atij që do të zgjidhte. Kurse diktatura moderne e Edvin Ramës i bllokon sovranit të ardhmen e fëmijëve për të detyruar kështu shoqërínë shqiptare dhe partinë e tij ta zgjedhë kryetar pa meritë. Dhe jo vetëm për këtë qëllim. Me kushtet e bojkotit ai kërkon nga sovrani të detyrojë mazhorancën t’ua mbyllë hajdutëve “defterët” e mbushur me akuza për sheshet e ndërtimit, apo për grabitjet arrogante të pronave, rrëmbyer qysh nga babëzia e luftës komuniste të klasave. Ai që ka shkelur statutin e partisë së vet, po bojkoton sot parlamentin. Prandaj nga gjithkush del sot natyrshëm pyetja: “Kush është përpara sovranit Edvin Rama?”  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›