Tranvestitët në polici: Na sulmuan me leva në varrim
Etleva Delia
Pak ditë pas vrasjes së tranvestitit të njohur me emrin "Kristina" mbrë-mjen e së shtunës, një tjetër anëtar i shoqatës së homoseksualëve ka rënë dje pre e fyerjeve dhe kërcënimeve me levë hekuri për shkak të prirjeve seksuale. Ngjarja ndodhi dje pas mesditës në zonën e ish-stadiumit "Dinamo" në kryeqytet. Tranvestitët pretendojnë se janë sulmuar gjatë ceremonisë mortore për anëtarin e vrarë të shoqatës së tyre, të njohur me emrin “Kristina”. Një grup personash ka njoftuar sallën operative për një plagosje me levë dhe një konflikt mes tyre dhe disa kalimtarëve. Burime zyrtare të policisë, thanë se fillimisht ngjarja është përshkruar si plagosje, duke qenë se nga frika anëtarët e shoqatës, të cilët po bënin homazhe për Petrit Muçën, kanë filluar të shtyhen me njëri-tjetrin duke përhapur panik. Por sipas burimeve nga policia e Tiranës, brenda pak orësh është vërtetuar se nuk ka pasur asnjë plagosje në mesin e tyre, por thjesht konfrontim fizik për t'iu larguar një personi në gjendje të dehur, i cili po i kërcënonte me levë hekuri. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, pranë stadiumit "Dinamo" në kryeqytet, për disa minuta ka zgjatur një rrëmujë e madhe në rrugicën që të çon tek ndërtesa e shoqatës së homoseksualëve. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në komisariat 2 persona, njëri prej të cilëve ka pasur një levë hekuri në dorë, ndërsa tjetri ka qenë duke e ndaluar që të mos i qëllonte tranvestitëve. Pasi janë marrë në pyetje për disa orë, ata janë lënë të lirë, për shkak se nuk kishin konsumuar asnjë vepër penale. Ndërsa mësohet se disa nga tranvestitët kanë kërkuar që ata të arrestohen, pasi i kishin kërcënuar dhe fyer.
CEREMONIA
Mesditën e djeshme, anëtarët e shoqatës së homoseksualëve kanë zhvilluar një ceremoni mortore në ambientet e godinës së shoqatës, që ndodhet në afërsi të Stadiumit Dinamo në Tiranë. Në momentin kur kortezhi mortor është nisur për të përcjellë në banesën e fundit "Kristinën", Petrit Muçën, i cili mbeti i vrarë të shtunën, tranvestitët pretendojnë se janë përballur me fyerjen e kalimtarëve. Ata pretendojnë se një mesoburrë ka dalë nga lokali ku ishte duke pirë dhe ka kapur një levë hekuri e më të ka tentuar ta qëllojë, por e ka ndaluar një kalimtar tjetër. Por kaq ka mjaftuar që në rrugën që të çon nga stadiumi "Dinamo" deri në afërsi të Liqenit Artificial, të përhapej panik tek banorët, të cilët kanë parë anëtarë të shoqatës së homoseksualëve që vraponin dhe shtyheshin me njëri-tjetrin.
Burime nga policia thanë se janë kryer të gjitha veprimet në bazë të deklarimeve që kanë dhënë tranvestitët, por është arritur në përfundimin se në atë vend nuk ka ndodhur asnjë vepër penale. E ndërsa konfliktet më pas kanë nisur mes grupit të homoseksualëve, të cilët kanë filluar të shtyjnë dhe të rrëzojnë njëri-tjetrin në rrugë, për t'iu shmangur përplasjen fizike me personin që po i kërcënonte me levë. Policia pohoi se janë marrë në pyetje dy personat që tranvestitët pretendonin se i kishin sulmuar dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia: S`ka të dëmtuar
Shërbimet e policisë së Tiranës të cilat shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë konfirmuar dje se në konfliktin e denoncuar nga tranvestitët nuk ka pasur asnjë person të dëmtuar. Efektiva të rendit kanë shkuar me urgjencë në vendin e ngjarjes duke menduar për një plagosje me leva, por pasi kanë mbërritur aty, kanë parë se askush nuk ishte dëmtuar në ngjarje. Zhurma është krijuar më tepër nga paniku dhe mënyra e reagimit të tranvestitëve sesa nga rreziku që u kanosej prej kalimtarit, që mbante një levë në dorë me të cilën nuk ka qëlluar njeri.
Tranvestiti "Paloma": Kosovari vrau "Kristinën"
TIRANE - Autori kthehet në vendin e krimit. Parimi i kriminalistikës duket se nuk ka bërë përjashtim për shqiptarin nga Kosova të dyshuar si autor të vrasjes së tranvestitit Petrit Muça. Vetëm një ditë pas krimit, ai është rikthyer i qetë në vendin ku akuzohet se ka vrarë Petrit Muçën, ndërsa është prangosur prej agjentëve të policisë, të cilët po e prisnin prej disa orësh. Aktakuza, e përpiluar pas hetimeve paraprake për ngjarjen, zbardh disa detaje nga krimi i katër ditëve më parë, ku autori dhe viktima ishin të dy persona me çrregullime mendore. Dje para gjykatësit të gatshëm në Gjykatën e Tiranës, i arrestuari si autor i ngjarjes mohoi të kishte vrarë viktimën, ndërsa pranoi se e njihte nga larg atë. Por ndryshe nga kjo, prokuroria paraqiti në gjykatë prova të mjaftueshme të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, si dëshmi dhe prova shkencore, me të cilat bindi togat e zeza për të lënë në qeli të arrestuarin deri në përfundim të hetimeve. "Më datë 19 shtator 2009 në vendin e quajtur "Torre Drin", pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shtetasi kosovar Sebajdin Hoxha, 36 vjeç, lindur në Bradesh Prizren dhe që jeton si endacak në Tiranë, ka vrarë më një mjet mprehës shtetasin Petrit Muça. Muça ishte tranvestit dhe prej kohësh ushtronte aktivitetin kundrejt pagesës. Ai njihej ndryshe me emrin Kristina. Sebajdin Hoxha ka prerë me thikë fytin e viktimës, i cili ka shkuar për të kërkuar ndihmë te polici rojë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve", pohoi prokurori i çështjes, sipas të cilit provat direkte që vërtetojnë akuzën janë: "Momenti i qëndrimit të Kristinës me kosovarin në lulishte rreth orës 21:30 si dhe fakti që kosovari është personi, i cili është larguar me Kristinën për të bërë seks në vendin e quajtur ish-hotel "Drini". Ky fakt deklarohet edhe nga Paloma dhe Altini (dy tranvestitë.red)", thuhet në aktakuzën paraprake. Më tej prokurori pohon se vetë kosovari deklaron se ka qenë te stoli dhe është larguar me një vajzë të shkurtër për te ish-"Drini" për të bërë seks dhe në moment ai tregon se disa ditë më parë ajo femra kishte tentuar t'i vidhte portofolin. Pasi nuk kishte arritur t'ia vidhte portofolin ishte larguar me vrap. Në rrugë kishte hasur në një polic i cili e kishte sharë. Ndërkohë, sipas prokurorisë, Paloma tregon se tre ditë më parë kosovari do e vriste me thikë dhe ka shpëtuar vetëm duke u larguar me vrap. "Anxhela (një tjetër tranvestit.red) tregon se një ditë më parë ishte kërcënuar me thikë prej kosovarit, pasi nuk kishte pranuar të bënte seks me të. Vetë kosovari, i pandehuri Sebajdin Hoxha ishte arrestuar një ditë pas krimit në vendin e ngjarjes, ndërsa ka pretenduar se ishte kthyer aty për të gjetur ndonjë nga sendet e vjedhura prej Kristinës", thuhet në aktakuzë, e cila përfundon: "Marie dhe Sajmira Kalthi, dy prostituta që qëndrojnë bashkë me grupin e tranvestitëve pohuan se pak ditë më parë kosovari u kishte kërkuar të kryenin marrëdhënie seksuale, por këto nuk kishin pranuar, pasi ai ishte maniak dhe këto kishin frikë se mos i vriste. Sipas tyre ai i kërcënonte me thikë të gjithë tranvestitët që nuk pranonin të kryenin marrëdhënie seksuale". fa.ma