Mbyti dy fëmijët në vaskë, i shoqi i kërkon divorcin
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Pas më shumë se një muaj nga tragjedia e ndodhur në familjen e tij, Arti Dervishi i është drejtuar gjykatës duke kërkuar divorc për nënën e dy fëmijëve, të cilët ajo i mbyti me duart e saj në vaskë. Ai nuk mund t’ia falë gruas krimin makabër që kreu më 9 gusht 2009 në shtëpinë e tyre në Selanik të Greqisë. Ende i tronditur nga tragjedia, 41-vjeçari ka lënë emigracionin dhe është kthyer në fshatin e tij në Cangonj të Korçës, e më pas i është drejtuar gjykatës, duke depozituar edhe kërkesëpadinë. Martesa e tij me Bardha Dervishin ka marrë fund që pas tmerrit të ndodhur, por ai ka vendosur t’i japë një herë e mirë fund edhe në rrugë ligjore.
I dridhen duart teksa mban cigaren dhe rrëfen atë ngjarje që tronditi jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë grek. Ai rrëfeu se nuk mund t’ia falë asnjëherë krimin makabër gruas së tij, e cila vrau dy fëmijët Aleksianorën 10 vjeçe dhe Sotirin 8 vjeç, në vaskën e banesës. Më pas ajo tentoi të vetëvritej duke iu hedhur përpara një automjeti në bulevardin e Selanikut. Bashkëshorti i saj mbërriti në vendin, ku ajo kishte pësuar aksidentit e vullnetshëm dhe e ndihmoi atë duke e çuar menjëherë në spital. “E përcolla atë (Bardhën) në ambulancë dhe i thashë policisë se duhet të kthehesha në shtëpi pasi kam dy fëmijët vetëm. Erdhi kushëriri më mori dhe më çoi në shtëpi. Sa shkova tek banesa thërrita fëmijët që të më hapnin derën, po ata nuk mu përgjigjën. Zbrita poshtë tek shkalla dhe pyeta një komshie. Ajo më tha se kishte parë gruan time duke pirë cigare, por për fëmijët nuk më tha gjë. Gjeta komshien e katit që më hapi derën e saj. Kërceva nga kangjellat dhe hyra brenda në shtëpinë time. Së bashku me kushëririn kontrolluam nëpër dhoma, por s’i gjetëm... Teksa i duhet të rrëfejë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj tragjedie, 41–vjeçarit i duhet pak kohë sa të mbushet edhe një herë thellë me frymë. Ndez edhe një cigare tjetër dhe nis sërish rrëfimin për t’i shkuar gjer në fund asaj tragjedie që mori jetën e dy të miturve. “Hapa derën e banjës. I pashë të dy fëmijët në vaskë. Vajza e kishte kthyer kokën në njërën anë e djali në anën tjetër. U alarmuan nga pamja dhe menjëherë bashkë me kushëririn i nxorëm nga vaska dhe i çuam në krevat. Pamja ishte e tmerrshme. U munduam t’i sillnim në jetë me frymëmarrje artificiale, thirrëm edhe mjekët të vinin me urgjencë, por gjithçka ishte e kotë pasi fëmijët kishin mbaruar që kur i gjeta unë”, u shpreh mes lotëve e dhimbjes babai i dy fëmijëve tashmë të vdekur. Ai deklaroi në mënyrë publike se gruaja e tij asnjëherë nuk ka vuajtur nga depresioni. Sipas tij, ajo mund ta përdorë këtë si alibi për të përfituar dënim të ulët, por ai nuk do t’ia falë kurrë asaj krimin makabër që ka kryer. Sipas tij, shkaku që e çoi gruan e tij në aktin kriminal mund të ketë qenë xhelozia që shprehte ajo herë pas here për një martesë të mëparshme, që Arti Dervishi kishte pasur para se ata të celebroheshin. Ata kishin 12 vjet martuar, kishin dy fëmijë dhe jetonin si emigrantë ekonomikë në Selanik të Greqisë. Gruaja e tij Bardha Dervishi, pas mjekimit në spitalet greke është e arrestuar nën akuzën e vrasjes së dy fëmijëve të saj. Sipas Artit ajo është ekzaminuar nga mjekët depresive dhe kjo gjë mund të shfrytëzohet për t’u dënuar me rreth 5 vjet. Ai në mënyrë të përsëritur deklaroi se Bardha nuk ka qenë depresive. Madje ai nuk ka arritur ende t’i shpjegojë vetes se pse ajo shkoi në një veprim kaq fatal, pasi sipas tij e shoqja i donte jashtë mase të dy fëmijët e saj. “Nuk e kuptoj pse i vrau, ajo i donte shumë fëmijët”, vijon më tej 41–vjeçari. Ai ende nuk ka vendosur nëse do t’i kthehet më emigracionit. Banesa e tij në Selanik i ngjall trishtim ashtu e boshatisur pa fëmijët e tij. E gjithë puna 12-vjeçare në shtetin helen i shkoi dëm, pasi familja e tij u shkatërrua në mënyrën më tragjike të mundshme.
Fëmijët u varrosën në Korçë
Pas ngjarjes tragjike në Greqi, trupat e Aleksianora Dervishit, 10 vjeçe dhe Sotiri Dervishit 8 vjeç, që u mbytën nga nëna e tyre në vaskën me ujë u sollën në Korçë, ku edhe u varrosën në fshatin Cangonj. Babai i tyre vendosi t’i varroste ata në Shqipëri, ndonëse ai jeton dhe punon prej 12 vitesh në shtetin helen
Indinjata e Dervishit për dënimin
Ndonëse drejtësia greke nuk e ka thënë ende fjalën e fundit për dënimin e Bardha Dervishit, babai i dy fëmijëve është mjaft i indinjuar pas ekspertizave të psikiatërve grekë, të cilët kanë konstatuar çrregullime të gruas. Sipas tij, ajo mund ta përdorë këtë si alibi për uljen e masës së dënimit
Ngjarja në fshat ende e freskët
Ngjarja e paprecedentë ende nuk është harruar në fshatin Cangonj të Korçës. Banorët e saj janë mjaft të prekur nga kjo tragjedi që mori jetën e dy fëmijëve. Sipas tyre, një ngjarje e tillë nuk është parë e as dëgjuar kurrë më parë. Asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të japë një përcaktim për gjendjen mendore të autores.