E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinas, kapet i kërkuari për vrasje

 

TIRANE- Një i shumëkërkuar që prej vitit 1998, i dënuar për krimin e vrasjes me 20 vjet burg, është arrestuar në aeroportin e Rinasit dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve për të vuajtur dënimin e dhënë. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Tiranës mësohet se është arrestuar Ardian Garupi, 37 vjeç, lindur e banues në fshatin Kosmaç, Komuna Bushat në Shkodër. Ai është ndaluar nga efektivat e Komisariatit të Rinasit, dje rreth orës 13:30, vetëm disa minuta pasi kishte zbritur nga avioni që vinte nga Anglia dhe ka prekur tokën shqiptare. Mësohet se Garupi ishte shpallur fajtor me vendimin e datës 10 tetor 2001 të Gjykatës së Shkodrës, për veprën penale të "vrasjes me paramendim" dhe atë të "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Ngjarja për të cilën akuzohet 37-vjeçari, ka ndodhur më 28 korrik të vitit 1998, në fshatin Barbullush të Shkodrës. Në këtë kohë Garupi akuzohet se ka vrarë në tentativë për të grabitur magazinën e plehrave kimike, Bahri Xhanin. Që prej atij momenti, Ardian Garubi kishte mundur të arratisej nga Shqipëria duke falsifikuar dokumentet dhe ka shkuar në Angli, ku dyshohet se ka jetuar të paktën 10 vitet e fundit, duke u maskuar nën një identitet të rremë. Por e vërteta është zbuluar në Rinas gjatë verifikimit të gjurmëve të gishtave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›