Rektori Shaska: Askush nuk mund të futet në universitet me dhunë
VLORE - “Asnjë student nuk mund të futet në universitetin tonë me dhunë”. Kjo është një pjesë e deklaratës së rektorit Tanush Shaska publikuar në faqen zyrtare të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, drejtuar të gjitha atyre maturantëve, të cilët rezultojnë fitues, por kanë mesataren e notave nën 6. “Gjithë prindërit dhe studentët që pretendojnë të bëhen pjesë e Universitetit tonë të qëndrojnë larg veprimeve të dhunës, kërcënimeve të personelit tonë, huliganizmit dhe dhunimit të një institucioni të dijes dhe shkencës siç është universiteti. Dituria nuk fitohet me dhunë dhe në bangat e UV-së nuk duhet dhe nuk do të futet njeri me dhunë. Unë i këshilloj të gjithë ata të rrinë larg dyerve të Universitetit, pasi në asnjë mënyrë nuk do të futen në auditorët e tij me dhunë”, thuhet në deklaratën e rektorit vetëm dy ditë pas urdhrit të nxjerrë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri i bëri thirrje rektorit Shaska të bëjë regjistrimin e studentëve, pasi ata janë fitues dhe do të konsiderohen si të tillë. Rektori i kërkon MASH te distancohet nga këto veprime dhune. Gjithashtu, i kërkon policisë së Vlorës të jetë më e pranishme në këto ditë, ku institucioni po dhunohet, si dhe deputetëve të Vlorës të mbrojnë interesat e këtij universiteti. “Nëse situata do të keqësohet, unë do të urdhëroj pezullimin e çdo aktiviteti në UV dhe mbylljen e Universitetit deri në sigurimin e normalitetit dhe qetësisë nga qeveria”, përfundon deklarata e Shaskës. q.b
LSI
Zv.Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besjan Pesha i bëri thirrje dje Rektorit dhe Senatit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës që në përputhje me rregullat e pranimit dhe regjistrimit të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të fillojë regjistrimin e rreth 400 kandidatëve për studentë të cilët ende janë duke qëndruar jashtë dyerve të këtij universiteti. Sipas tij vendimi për klasifikimin e studentëve dhe sipas mesatares nuk është bërë asnjëherë transparent për maturantët dhe asnjë prej kandidatëve për studentë nuk ka qenë në dijeni për këtë kriter gjatë momentit të aplikimit.