Kur futbolli ka emrin e presidentit
Ju kujtohet asambleja e fundit në futboll? U bë në emër të futbollit, por më shumë luajti politika. U përhap nami edhe për një bombë që ishte vënë në sallën ku u bënë zgjedhjet, por më pas rezultoi një alarm i rremë. Një histori, që palët për të trembur njëra-tjetrën, kapërcejnë kufijtë e kërcënimit. Por bomba e gënjeshtërt e atyre ditëve ka plasur këto ditë. Shqipëria pa futboll në FIFA e në UEFA dhe më keq akoma pa futboll kampionati të shtunën. Për një moment, rebelimi i presidentëve të klubeve për bojkotim të garës u interpretua si e keqja më e pranueshme. Por presidenti Duka edhe në takimin e fundit me presidentët "rebelë" tregoi se është po aq i zoti sa në asamble, për të joshur grevistët. Ata që prej ditësh thërrisnin se FSHF na përjashtoi nga Evropa e jo ministria, si me magji kanë pranuar kushtet e presidentit. Një "mrekulli" që nuk e përjetuan dot gazetarët, sepse presidentët nuk duan të kenë dëshmitarë kur i përulen njëri-tjetrit. Ashtu si edhe ata të politikës, që nuk duan të marrin përgjegjësi edhe për ngjarje fatale, dhe presidenti ynë më së fundi ka pranuar: "Me dashje apo padashje ka dështuar aktiviteti futbollistik. Bashkë le ta rikthejmë Shqipërinë në FIFA". Dhe nëse një ditë kthehemi në FIFA, do të krenohemi më shumë me gjetjen e mirëkuptimit, se sa me arsyet e përjashtimit. Njerëzit e futbollit, duke përfshirë edhe ata të ministrisë së Pangos, do të kujtohen se në ditët më të vështira për vendin, në vend të ndihmonin me aq sa mundet, kjo lojë ka shtuar edhe një hall në zinxhirin e pafund. Pa futboll, në një vend ku politika luan 24 orë për 24, kjo është "meritë" e të gjithëve. Presidenti Duka pasi fitoi duelin e ekzistencës me politikën, në këto momente duket sikur na thotë se "futbolli juaj jam unë". Ndërsa ministri Pango ka frikë të pranojë se basti i tij ishte largimi i presidentit të futbollit dhe jo vetë futbolli. Le të kujtojmë fjalët e donatorit të Tiranës, Refik Halili: "Nuk më intereson presidenti Duka dhe ministri Pango, por vetëm futbolli. Kemi 3 vjet që përjetojmë vetëm konflikte". 12 vjet më parë, njerëz nga FSHF spiunonin se mjafton që sekretari Dervishi t‘u thotë një fjalë shefave në FIFA dhe... do ta pësonim. Këto ditë, përsëri njerëz të FSHF-së këshillojnë se butoni është në dorën e presidentit Armando Duka. Morali i butonit është i qartë: Ju kthejmë futbollin, por mos prekni presidentin! Ajo që ndodhi në mbledhjen e fundit me presidentët, duket se edhe njëherë, si në "asamblenë e bombës", kemi besuar te kompromisi i radhës.
SSSASS