Kur mediat shikohen si "tellallë"
15/04/2005 Tashmë është bërë një traditë e mirë, që Teatri Kombëtar të lajmërojë konferenca për shtyp, madje dy, për çdo pjesë teatrale që vihet në skenë. Një konferencë zhvillohet në momentin që njoftohet vepra, e cila do të vihet në skenë. Këtu media informohet dhe informon në lidhje me veprën dhe autorin e saj, për regjisorin dhe atë ç'ka ai synon, si edhe trupën e aktorëve, që do të luajnë në të. Më pas, disa ditë para premierës, mediat njoftohen për një konferencë tjetër për shtyp, në rolin e publicitetit apo tellallit, pasi nga njëra konferencë për shtyp te tjetra, nuk ka asgjë të re për të shënuar. Gazetarët, si të mediave elektronike, ashtu edhe të shtypit të shkruar, ulen përballë aktorëve dhe regjisorëve pa ditur ç'të thonë, pa ditur ç'të pyesin, pasi nuk kanë as idenë më të vogël se ç'ndodh në realitet. Mungon edhe një fletë formati e thjeshtë, ku të paktën të shkruhet se kush janë personazhet dhe nga kush luhen (pasi një sinops, ndoshta konsiderohet luks i paparë). Por, në të njëjtën pozitë ndodhen edhe vetë aktorët dhe regjisorët, të cilët nuk kanë se ç'të thonë për një diçka që nuk është prezantuar, të paktën para gazetarëve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se çdo shfaqjeje që vihet në skenën e Teatrit Kombëtar, apo edhe në institucione të tjera, është e nevojshme t'i bëhet një jehonë sa më e gjerë për mijëra arsye, por kjo nuk do të thotë se gazetarët duhet të "rrahin ujë në hava" dhe të përdoren si altoparlantë për të tellallizuar diçka që nuk e njohin (pasi e kanë bërë njëherë nga të njëjtat pozita). Edhe pse është kërkuar vazhdimisht që të prezantohet një shfaqje, për mediat apo edhe kritikët dhe, më pas të zhvillohet konferenca për shtyp, ku krijohet mundësia, që, pasi çdokush është njohur me veprën, të dijë minimalisht se ç'pyet, asgjë nuk bëhet. Si zakonisht, përgjegjësinë për këtë nuk e merr askush. Edhe pse dihet nga të gjithë se me çfarë ritmesh dhe ngarkesa punojnë gazetarët, askush nuk mendon se një shfaqje e dhënë enkas për ta (mundësisht në një orë sa më të përshtatshme për të gjithë), do të ishte shërbimi më i mirë që i bëhej vetë aktivitetit, publiciteti më i madh, por edhe më kuptimplotë, në mënyrë që ata të mos ndjehen të përdorur, apo tellallë të "paditur".