Polemika, xhinset kundër dinjitetit njerëzor
Kur politika “përzihet” me çështjet e modës ka diçka që vërtet nuk shkon. Mbulimi i flokëve, maskimi i fytyrës dhe formave të trupit: të gjitha këto detaje tregojnë qartë mungesën e lirisë personale dhe papastërtinë e trupit femëror. Xhinsi, duke filluar që prej vitit 1968, u bë veshja më e përdorur në mbarë botën dhe ende sot, në vitin 2010, është e vetmja veshje me të vërtetë e globalizuar, e përdorur me të njëjtën lehtësi nga yjet e spektaklit e kinemasë, profesorët, studentët dhe deri te punëtorët e thjeshtë.
Polemika
“Respekti lidhet drejtpërsëdrejti me gjatësinë e shtatit të xhinseve”. Me këtë justifikim, senatori demokratik i Nju Jorku, Eric Adams, u ka shpallur luftë pantallonave me bel të shkurtër, të cilat lënë të duken qartë mbathjet, por në veçanti fund-shpinën. Për këtë arsye, së fundi, banorët e Bruklinit janë zgjuar një ditë me rrugët e mbushura plot me njerëz, të cilët protestonin duke mbajtur në duar pankarta gjigante, ku shkruhej: “Mjaft më me pantallonat me bel të shkurtër!”. Në vitin 2008, edhe vetë Presidenti amerikan Barak Obama ishte deklaruar kundër pantallonave me bel të shkurtër. “Disa persona nuk dëshirojnë që të shohin mbathjet tona, unë jam njëri nga ata”,- deklaroi ai për “MTV News”. Ndërkaq, disa shkolla amerikane kanë hartuar një kod për mbajtjen e një veshjeje të caktuar gjatë orarit mësimor, ku rripi i pantallonave është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e uniformës. Vitin e kaluar dekani i Universitetit të Shën Petërburgut në Florida urdhëroi të përdoreshin pantallona të gomuara nga femrat që të mos u rrëshqisnin deri te gjunjët.
Moda
Në fillim moda ishte përhapur në rrugë mes miqve, pastaj filloi të përhapej edhe më shumë, veçanërisht nëpër shkolla, ku shpesh Adams shkonte për vizitë dhe shihte që beli i pantallonave ulej gjithnjë e më shumë. Nga i njëjti problem ka marrë shkas edhe Tracey L.Collins, ish-dekan i një liceu që tani drejton “Fully Persuaded for Children and Families Inc”, shoqatë e cila ka për qëllim të inkurajojë përgjegjësitë sociale: “Pantallonat e rëna në fund të këmbëve janë shumë të përhapura mes të rinjve dhe të rejave. Ata paraqiten kudo me to, nëpër shkolla, në rrugë, nëpër institucione të rëndësishme. Duke i parë të veshur në këtë mënyrë, njerëzit fillojnë t’i shohin me sy tjetër dhe të formojnë një opinion të gabuar për ta, edhe pse mund të jenë shumë profesionistë”,- argumenton Collins. Ndërkohë, Collins po bashkëpunon me senatorin Adams, për fushatën “Stop pantallonave me bel të shkurtër!”. Adams thotë se nuk ka për qëllim të miratojë ndonjë ligj lidhur me këtë problem. Ai kërkon vetëm që të edukojë këtë brez të ri e të pabindur. “Nuk dua t’i kritikoj të rinjtë, pse janë të rinj. Po përpiqem të reduktoj në maksimum dëmet e kësaj mode”,- ka thënë ai. Megjithatë, stilistët janë kundër kësaj gjëje dhe të gjithë pyesin njëzëri: “Vërtet nuk kanë diçka më urgjente me të cilën të merren? Vetëm kjo u ka mbetur pa rregulluar politikanëve?”.
Historia e xhinsve
Xhinset kanë lindur në vitin 1847 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ideatori i tyre ishte Levi Strauss, një tregtar i ri, emigrant nga Baviera. Fjala xhins vjen nga Frëngjishtja dhe do të thotë Genoa, duke iu referuar pëlhurës me të cilën ishin bërë pantallonat e veshura nga marinarë të kohës së Kolombos. Në fund të viteve ‘800, termi xhins u bë sinonim i fjalës pantallona. Levis Strauss, pasi erdhi në Nju Jork, u zhvendos në brigjet perëndimore, ku filloi të shiste tenda për të mundur të fitonte jetesën. Një ditë u vendos në një vend të vogël në rrethinat e San Franciskos dhe pa që banorët vishnin pantallona të grisura. Kështu i lindi një ide e re dhe filloi të projektonte realizimin e pantallonave me copën që përdorte për tendat, të cilat i shiste dhe i quajti Levi pants. Këtu fillon historia e gjatë dhe e pathyeshme e xhinseve, e cila shoqëroi ushtarët e Luftës së Dytë Botërore, duke vënë në dijeni për këtë shpikje edhe kontikentin europian. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, xhinset ishin rroba pune, por pas Luftës këto veshje u bënë veshje që mbaheshin dhe gjatë kohës së lirë, me ngjyra dhe komode. Në vitet ’50 kinemaja amerikane bëri boom-in dhe xhinsi hyri në shtëpitë e të rinjve, duke u bërë veshja rebele e tyre. Në vitet ’60 xhinset frymëzohen me modën e Elvis Prestley, ndërsa në vitet ’68 xhinset bëhen modë hippy.
Xhinset e sotme
Sot xhinset janë një nga veshjet kryesore, ato vishen nga njerëz të çdo moshe dhe të çdo vendi. Fillimisht xhinsi ishte në formë “cigareje”, më pas është menduar për diçka më komode, të cilat ende sot zënë vendin e parë në preferencat e të rinjve. Por, evolucioni vazhdon dhe në fillimet e viteve ’80, kohë në të cilën filloi tërheqja pas xhinseve firmato (të firmave të njohura për prodhimin dhe stilimin e rrobave). Duke nisur nga ky moment pothuajse çdo firmë prodhimi rrobash prodhon një linjë të vetën të xhinseve. Fundi i viteve ’90 (në këto vite filluan të hynin dhe xhinset në Shqipëri) është karakterizuar, pas një periudhë heshtjeje, nga një rikthim i madh në modë të xhinseve. Pas periudhës neo hippy të Guçi-t, me xhinset me prerje të ulët, të gjata pothuajse deri mbi kavilje, del dhe xhinsi i çrregullt me përdorimin e materialeve të tjera si pendë, copa me dizenjo lëkure kafshësh, të propozuara nga Roberto Cavalli. Tashmë xhinsi nuk është vetëm një veshje për të rinjtë dhe për kohën e lirë, por është bërë dhe një objekt luksi. Sot, të gjithë stilistët kanë krijuar xhinse me të veçanta, të cilat i bëjnë të dallohen dhe të duken më elegante. Nga stilistët më të njohur përmendim: Cavalli, Armani, Valentino, Guçi, Gas, Fioruçi, Onyx,Dolce e Gabbana, përveç atyre fabrikave që kanë krijuar xhinse gjithmonë: Levis, Lee, Wrangler, Diesel.
Xhinset në Shqipëri
Është e pamundur që në një shëtitje qoftë edhe 5 minutshe në një rrugë të çfarëdoshme të mos shohësh njerëz që mbajnë veshur xhinse. Tashmë, jo vetëm në rrugët e qyteteve, por edhe në fshatrat më të thella. Sado të ndryshojë moda, sado të ndryshojnë stinët, nuk ka raste që të kalosh para vitrinave të një dyqani dhe mos të të shohin sytë xhinse të ekspozuara. Edhe për shqiptarët, xhinset tani janë bërë pjesë e gardërobës, madje mund të themi që kanë zënë “vendin e nderit” në dollapët tona. Janë veshja e preferuar për çdo rast, përjashto këtu takimet zyrtare. Janë komode dhe praktike. E çfarë mund të duhet tjetër për t’u ndjerë rehat?! Edhe në tregun tonë xhinset kanë ndryshuar herë pas herë formë dhe model, por ky ndryshim nuk është i datuar. Deri para pak kohësh ishin në modë xhinset e gjera nga fundi, ndërsa dy vitet e fundit ka ndodhur e kundërta: ato të gjerat janë zëvendësuar me xhinse të ngushta nga fundi. Ndryshime kanë ndodhur dhe për gjatësinë e prehrit të këtyre pantallonave, deri më tani në top listën e xhinseve të përdorura nga shqiptarët ishin ato me prehër të shkurtër (kjo më shumë për femrat, por nuk përjashtohen dhe raste për meshkujt). Dukuria e xhinseve më prehër të shkurtër është kritikuar rëndë edhe në vende europiane me shoqëri liberale (për ata që nuk ndjekin modën sqarojmë se bëhet fjalë për xhinset, të cilat lejojnë të shikohen të brendshmet me sy të lirë). Ende jo këtu tek ne, por në vende europiane si Italia, e madje edhe në SHBA, ka vende ku veshja e këtyre lloj xhinseve shoqërohet me ndalim dhe gjobitje.
17 Prill 2010