Nisma “Qyteti i gjelbër”, AMC dhuron 600 rrënjë bliri për Bashkinë e Kamzës
Nisma e Bashkisë së Kamzës, “Qytet i gjelbër, qytetarë të shëndetshëm”, është mbështetur nga kompania celulare “AMC”, e cila bëhet pjesë e këtij projekti në kuadrin e kontributeve të saj sistematike në shoqëri dhe veçanërisht në shërbim të mjedisit. Përgjatë gjithë “Bulevardit blu” të qytetit të Kamzës do të mbillen 600 rrënjë bliri, dhuruar nga kjo kompani, në kuadër të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe angazhimit për qytetarë të shëndetshëm. Pemët do të gjelbërojnë bulevardin në një gjatësi prej 2 km, nga rrethrrotullimi i qendrës në “Bulevardin blu” deri te Universiteti Bujqësor. Mbjellja e pemëve ka filluar disa ditë më parë, ndërsa dje, për të parë nga afër ecurinë e punës për gjelbërimin e qytetit, ka shkuar drejtori ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, pasi falënderoi AMC-në për gjelbërimin e qytetit, tha se kjo kompani është një ndër të parat që u solidarizua me këtë nismë dhe që realizoi këtë investim kaq të frytshëm, por edhe të pëlqyeshëm nga qytetarët e Kamzës. “Unë jam i sigurt që ky është hapi i parë i bashkëpunimit midis Bashkisë së Kamzës dhe kompanisë AMC. Besoj se të tjera projekte bashkëpunimi do të kemi në të ardhmen”, - tha ai. Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, në emër të kompanisë që ai drejton, shprehu kënaqësinë e veçantë për kontributin në fushën e mjedisit dhe veçanërisht të gjelbërimit të qytetit të Kamzës. “Siguroj kryetarin e Bashkisë si dhe banorët e Kamzës se AMC-ja do të vazhdojë t’ju mbështesë pasi është gjithmonë pranë komunitetit jo vetëm me shërbimet dhe produktet që ofron, por duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve duke kthyer kështu një pjesë të besimit që na është dhënë prej tyre”, - tha drejtori Oktapodas. Këshilli Bashkiak i qytetit të Kamzës i ka vendosur emrin AMC njërës prej rrugëve të qytetit në respekt të kontributit të kësaj kompanie për mbështetjen e saj të vazhdueshme në mbarë vendin, në veçanti në qytetin e Kamzës. Me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Kamzës, Mziu, i dorëzoi drejtorit ekzekutiv të AMC-së, Oktapodas, çmimin “Mirënjohja e qytetit” në shenjë falënderimi.
27 Mars 2009