E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur shkrimtari nuk i thotë të gjitha...

Autori i Lajmit: Red.
Shkrimtari Paskal Milo ka “mundur” dje politikanin Paskal Milo. Kanë mjaftuar 2 libra që të tregojnë se pena artistike e tij e rivalizon hapur atë diplomatike. Pavarësisht se i gjithë “brumi” ka ardhur nga kjo e dyta...Kthimi i takimeve zyrtare apo konferencave të shtypit në art, është një mision po aq delikat sa edhe diplomacia.
Edhe pse nuk është hera e parë që boton, “Ditari i një ministri të Jashtëm” dhe “Kosova nga Rambuje në Pavarësi” janë pritur me shumë interes nga publiku. Të dy këta libra janë prezantuar dje para shumë politikanëve, miqve dhe figurave të rëndësishme të historisë së Kosovës në hotel "Tirana International". Ditët e vështira të historisë së Kosovës, tani kanë një “kalendar” diplomatik.
Nuk i kam thënë të gjitha...
Autori i librave “Ditari i një ministri të Jashtëm” dhe “Kosova nga Rambuje në Pavarësi”, historiani dhe politikani Paskal Milo, u shpreh se “nëpërmjet këtyre librave nuk pretendoj të bëj historinë e Kosovës për këto vite, as nuk pretendoj që t`i kem thënë të gjitha dhe t`i kem ezauruar, por ajo çka kam sjellë është ajo që kam evidentuar, dëgjuar, apo vendime ku kam qenë i pranishëm dhe pjesë e vendimmarrjes”. "Ky ditar synon të hedhë dritë për kontributin e madh që ka dhënë Shqipëria dhe institucionet shqiptare për zgjidhjen e krizës në Kosovë”, - shtoi Milo.
“Ditari i një ministri të Jashtëm” vjen si një pjesë e ditarit që Milo ka mbajtur gjatë kohës kur ushtronte detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në të rrëfehet ajo pjesë e ngjarjeve ku autori ka qenë i pranishëm, ose duke iu referuar burimeve zyrtare e diplomatike.
Ndërsa libri “Kosova nga Rambuje në Pavarësi” është historia e pavarësisë së Kosovës, edhe para Rambujesë, duke pasqyruar dhe analizuar përpjekjet e brezave të shqiptarëve që vuajtën e u martirizuan dhe vunë themelet e 17 shkurtit 2008.
Komentet mbi librat
Presidenti i shtëpisë botuese "Toena", Fatmir Toçi, u shpreh se "këto dy libra vijnë në një kohë të rëndësishme, 10 vjet pas luftës për pavarësi të Kosovës dhe 1 vit pas pavarësisë së saj. Duke lexuar një ditar të shkruar nga një historian, që di të shkruajë bukur, do të gjeni në të shënimet e kohës dhe jo vetëm shënime që përcaktojnë rolin e faktorët që ndikuan në zgjidhjen e krizës, por do të gjeni aty dhe analiza të hollësishme të një politikani, historiani dhe diplomati", - tha Toçi. Ndërsa për ish- presidentin e Shqipërisë të asaj periudhe, Rexhep Mejdani, këto libra tregojnë sesi diplomacia e një vendi aq të vogël mori vlera aq të mëdha gjatë krizës së Kosovës. "Këto botime i sjellin lexuesit dhe opinionit publik detaje të atyre ngjarjeve, ndjesi personale, ashtu siç kanë qenë të shkruara në ato radhë shënimesh, edhe pse shumë gjëra sot mund të lexohen ndryshe, më qetë dhe pa emocionet e atyre ditëve historike”, - u shpreh Mejdani. Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë në periudhën e luftës së Kosovës, tha se “e rëndësishme për këtë kohë është fakti se diplomacia shqiptare ka filluar të flasë jo vetëm në konferenca shtypi apo takime zyrtare, por na jep dhe një produkt domethënës për të ardhmen e Shqipërisë".

Biografia
Paskal Milo, në mes diplomacisë dhe artit
Paskal Milo ka lindur në Palasë të Himarës, më 22 shkurt 1949. Ai është diplomuar për Histori dhe Gjeografi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Suedi. Ka gradën shkencore “Doktor” në histori dhe titullin “Profesor”. Ka kryer disa detyra shtetërore: sekretar shteti për Arsimin (1991); ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001); ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Është deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992 dhe ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Shëndetësisë (1992-1996) dhe të sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2003-2005). Është Kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.

Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›