E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nipi i Kryeministrit dëshmon kundër Krenar Ahmetit

Autori i Lajmit: Red.
Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor për Tiranën është përballur dje me dëshminë e nipit të Kryeministrit të vendit. Dëshmitari ka pohuar para togave të zeza se është shoqëruar me dhunë në komisariatin e policisë nën urdhrat e Krenar Ahmetit. Po në seancën e djeshme, Hajredin Berisha ka pohuar se ka qenë dëshmitar edhe në shoqërimin që i është bërë prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, dhe bashkëshortit të saj, Agron Bajri.
Dëshmia
Nipi i kryeministrit Sali Berisha ka dëshmuar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të ish-shefit të Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, i cili prej disa ditësh mban postin e shefit të Rendit dhe Sigurisë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se Hajredin Berisha, nipi i kryeministrit të vendit, Sali Berisha, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë, ka akuzuar Krenar Ahmetin se e ka shoqëruar me dhunë në rajonin e policisë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dëshmitari ka akuzuar Krenar Ahmetin se ka shkelur ligjin duke e marrë atë me forcë në polici. Nga ana tjetër, Hajredin Berisha ka qenë dëshmitar edhe në shoqërimin që i është bërë prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, dhe bashkëshortit të saj, Agron Bajri. Dëshmitari Hajredin Berisha ka treguar të gjitha rrethanat e ngjarjes ku u shoqërua me forcë prokurorja dhe bashkëshorti i saj avokat. Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, mësohet se Hajredin Berisha ka treguar se ditën e shoqërimit të çiftit Bajri, ishte duke debatuar me Krenar Ahmetin, për shkak se në të njëjtën kohë, i bllokoi edhe atij makinën në rrugë e sipër.
Një patrullë që shoqëronte Ahmetin e ka marrë jashtë dëshirës Hajredin Berishën, nga vendi ku u bllokua, tek Kullat Binjake dhe e ka dërguar në Komisariat. Ai ka pohuar se ka parë dhe ndezjen e debatit mes Ahmetit dhe prokurores e të shoqit, të cilët gjithashtu i ka shoqëruar për në komisariat.
Akuza
Sipas akuzës, ai ka shoqëruar shumë qytetarë në Komisariatin nr.2 pa të drejtë dhe se i ka mbajtur pa të drejtë. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se Ahmeti është duke u hetuar edhe për përplasjen e eskortës së Kryeministrit, përplasjen e dy studentëve në Qytetin Studenti, aty ku edhe banon i pandehuri, duke u zhytur në një dyqan me automjetin e detyrës, etj.
Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, i emëruar shef rendi në qytetin e Elbasanit, akuzohet nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës se ka kryer veprën penale të veprimeve arbitrare.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›