“Të mos humbet kohë, Shqipëria duhet të përparojë me reformat”
Ambasadori amerikan Alexander Arvizu i bën thirrje politikës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bëri thirrje dje për nisjen e dialogut politik dhe miratimin e reformave, pasi siç u shpreh ai, Shqipëria s’ka kohë për të humbur. Deklaratën e tij, Arvizu e bëri pas seminarit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, me të zgjedhurit vendorë. Arvizu theksoi se nuk duhet humbur më shumë kohë dhe se palët duhet të angazhohen në bashkëpunim serioz, për të përparuar me reformat. Por ai paralajmëroi se për gjithçka duhet të arrihet konsensus, pasi nëse reformat bëhen me nxitim, atëherë gjërat përkeqësohen.
“Mendoj se të gjitha palët kanë përgjegjësi. Di që disa njerëz thonë se opozita me bojkotin e saj mbajti peng progresin. Mendimi im modest është se bojkoti afatgjatë ishte kundër-produktiv. Nuk mendoj se ky bojkot ndihmoi axhendën. Por, mendoj se i takonte edhe mazhorancës që të krijonte kushtet për të ftuar opozitën në dialog. Flasim gjithmonë për kompromis, por nuk është vetëm faji i opozitës. Sigurisht që mendoj se opozita ka përgjegjësi!”, u shpreh kryediplomati amerikan.
Arvizu apeloi për një sens urgjence, duke u shprehur se politika ka humbur dy vjet kohë në debate të pavlera. Duke u ndalur te kushtet e opozitës, më konkretisht te 10 pikat e presionit të socialistëve në këmbim të këmbim të votës për ligjet me shumicë të cilësuar, Arvizu refuzoi të komentonte ndonjë prej pikave të propozimit, por solli në vëmendje se Shqipërisë më shumë se kurrë i duhen reformat.
“Mendoj se është inkurajuese që PS ka përgatitur një listë prej 10 idesh apo kushtesh, varet si i cilëson ato, pasi nuk është në dorën time të komentoj mbi cilësimin specifik. Por mendoj se është inkurajuese që ka propozime specifike që përbëjnë bazën për dialog apo debat. Nuk mund të jap komente mbi secilën prej 10 pikave. Por shpresoj se përbën bazën për diskutim dhe për të ecur përpara, ku procedurat dhe rregullat e parlamentit, përbëjnë një pikë të rëndësishme”, shtoi ai.