Libri i ri, Rama: Berisha, lexuesi im më i shqetësuar
“Kurbani” i Edi Ramës, një rrëfim për Tiranën, aktorët politikë, Shqipërinë, por edhe veten. I përgjigjet komenteve të Berishës në Twitter: “Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar, po s'e ka nga shkrimet e librat, e ka nga vrima ku u gjet Gadafi!”
Dy rivalët politikë, Sali Berisha e Edi Rama, kanë replikuar dje në distancë jo vetëm për politikën, por edhe për publicistikën. Shkak është bërë libri më i ri i kreut të PS-së, Edi Rama, i titulluar “Kurbani” e që pritet të hidhet në treg në fillim të nëntorit. Kryesocialisti e ka përfunduar këtë libër brenda dy muajsh, kohë kur eksperimentoi editorialet, në komunikimin me publikut. Ndërsa dje, lajmi për librin e ri të Ramës, të titulluar “Kurbani”, është bërë objekt batutash në grupin parlamentar demokrat, ku kryeministri Berisha është marrë gjerë e gjatë me të, duke i kushtuar edhe disa vargje thumbuese. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të opozitës, Edi Rama, i cili qëndrimin e Berishës lidhur me nismën e tij për të bërë një libër e ka konsideruar si të detyruar nga halli i pushtetit dhe jo nga ajo se nuk i pëlqen vetë libri. “Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar, po s'e ka nga shkrimet e librat, e ka nga vrima ku u gjet Gadafi!”, - shkruante dje në mbrëmje në Twitter Edi Rama. Ndërkohë që po dje, në blogun e tij në internet ka botuar dhe kopertinën e librit “Kurbani”, ku titulli është i shkruar me germa gjaku. Libri, siç edhe bëhet e ditur në kopertinë, është një rrëfim befasues i kryetarit të PS-së, kryesisht për Tiranën si qytetin që ai drejtoi për 11 vite rresht. Gjithashtu, në të kreu i PS-së rrëfen edhe për Shqipërinë siç është dhe siç duhet të jetë sipas tij, si dhe për aktorët e politikës shqiptare. Në librin e tij Edi Rama mësohet se ka përfshirë shumë personazhe të jetës politike e publike, që nga Fatos Nano e Sali Berisha, Ismail Kadareja e Fatos Lubonja, Ilir Meta e Spartak Ngjela etj. Në libër Rama flet edhe për familjen e jetën e tij personale. Libri në vetvete është dhe një rrëfim nga një individ që tregon një histori të përbashkët të bashkëkohësve dhe për shkrimin e këtij libri Rama duket se ka menduar që në momentin e humbjes së Bashkisë së Tiranës, pasi fill pas tij ka nisur dhe bashkëpunimi me shtëpinë botuese ”Dudaj”, së cilës i ka besuar krijimin e tij. Libri mësohet se merr jetë pikërisht nga momenti simbolik i therjes së dashit ditën e konstituimit të bashkisë së re të dalë nga zgjedhjet e 8 Majit, të cilat natyrisht zënë një pjesë të rëndësishme në të.