E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktimat në burg kanë konsumuar stimulantë

 

Policia ka nisur analizat e pijeve dhe shisheve të përdorura gjatë takimit special ku i dënuari vrau gruan dhe veten

ELBASAN- Vrasja dhe vetëvrasja e ndodhur dy ditë më parë në dhomën e “takimeve speciale” në burgun e Peqinit është marrë nën hetim nga ana e policisë së Elbasanit. Hetuesit e saj kanë shkuar dje në mjediset e burgut ku kanë sekuestruar si prova materiale shishet plastike që kanë përdorur dy viktimat, pijet që ata kanë konsumuar, çarçafët, cigare dhe shumë elementë të tjerë të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës. Qëllimi i këtyre analizave është të zbulohet nëse ka pasur lëndë të tjera që kanë ndikuar në realizimin e krimit të dyfishtë dhe nëse janë futur lëndë të ndaluara në burg apo jo.

Prokurori i çështjes Binas Nina nuk ka bërë asnjë koment edhe mbi letrën e gjetur në dhomën e të burgosurit, e cila ende nuk mund të vlerësohet nëse është shkruar pak para krimit apo më parë. Kjo letër është gjetur mes një grumbulli materialesh të tjera mbi tavolinë dhe i drejtohej policisë. “Zakonisht të dënuarit shkruajnë ankesa, me anë të të cilave kërkojnë uljen e dënimit. Fillimisht kjo letër është klasifikuar sinjë ankesë e thjeshte por më pas është vlerësuar si pjesë e provave të grumbulluara nga ekspertët”,- thanë burimet e grupit hetimor të çështjes. Ndërkohë mësohet se prokuroria do të kërkojë vlerësimin e kaligrafisë pasi duhet të vërtetohet nëse letra është shkruar nga viktima apo nga ndonjë i burgosur tjetër dhe po kështu do të vërtetohet edhe koha kur është shkruar. Ndërkohë nga organi i hetimit pritet të thirren si dëshmitarë babai i Mynirit, Feriku dhe djemtë e tij. Dosja është depozituar rreth mesditës në prokurorinë rrethit gjyqësor Elbasan. Prokurorit i mbetet vetëm 2 ditë të hedhë dritë mbi hetimet dhe të përpilojë dosjen dhe provat përpara se të marrë pushimet. Kjo çështje pritet të rikthehet në fillim të shtatorit. Ndërkohë është kërkuar autopsia e trupave duke përcaktuar çfarë kanë konsumuar dhe shkakun zyrtar të vdekjes së tyre. Thëllëza është verifikuar me një shenjë në fyt që vërteton edhe mbytjen e saj nga bashkëshorti nëpërmjet një kabulli elektrik. Ndërkohë mësohet se në Burgun e Peqinit ka mbërritur një grup përfaqësuesish nga Avokati i Popullit. Ata do të verifikojnë kushtet që i ofrohen të burgosurve dhe lejimi apo jo i mjeteve të tilla si ventilatori në brendësi të dhomës së takimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›