E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi shqiptar i lirë në Angli

 

Në një kohë kur Ministri i Brendshëm britanik, Vernon Coaker, gjatë një vizite në Shqipëri, premtoi ekstradimet e të gjithë të kërkuarve shqiptarë që ndodheshin në Angli, mediat britanike vazhdojnë të publikojnë skandale, në lidhje me këtë fenomen. Revista “The People” ka shkruar dje për një tjetër shqiptar që kërkohet prej më shumë se 11 vitesh nga drejtësia shqiptare për vrasje, në një kohë që ai lëviz lirshëm nëpër rrugët e Londrës, me një identitet të rreme dhe me një pasaportë britanike. Bëhet fjalë për Afrim Sinanin, që tashmë ka ndryshuar mbiemrin, duke e kthyer në Pulaj dhe vendlindjen, duke u vetëdeklaruar si nga Prozrevi i Kosovës. “Vrasësi shqiptar është i dënuar me 22 vjet burg, madje edhe është arratisur nga burgu ku vuante dënimin në vitin 1997, ndërsa tani jeton i lirë bashkë me familjen e tij në Ilford, në lindje të Londrës”, shkruhet në të përditshmen londineze “The People”. Revista denoncon paaftësinë e shtetit për të dëbuar kriminelët, pasi i pajis vetë me pasaportë britanike. Në shkrimin e djeshëm, gazetarët anglezë përsërisin faktin se ashtu si i kërkuari Afrim Sinani, në Britani ndodhen 100 kriminelë që kanë përfituar azil, edhe pse në Shqipëri janë super të kërkuar.
Skandali i vrasësit
Për rastin e Afrim Sinanit, artikulli i revistës britanike thotë se policët paralajmëruan 6 vite më parë se krimineli shqiptar përdorte emër të rremë. Interpoli madje nxori një foto të tij, si dhe gjurmët e gishtërinjve. Por policia nuk e gjeti dot dhe çuditërisht atij iu dha pasaporte britanike. Sinani tani ka mbiemrin Pulaj, shkruhet në revistën “The People”, dhe jeton në Ilford në lindje të Londrës me gruan e tij Myzaferen dhe tre fëmijët. Ai në Shqipëri është i dënuar me 22 vjet burg, për vrasjen e një personi, që sipas tij i kishte vrarë babanë. Por ai u arratis nga burgu në ’97-ën dhe bashkë me gruan mbërriti me kamion në Britani në vitin 2000. Atij iu dha azil pasi deklaroi se ishte refugjat nga Kosova, vijon artikulli i revistës angleze. Në 2005-ën Sinani siguroi dokumentet dhe mori shtetësinë britanike. Ministri i Emigrimit të qeverisë konservatore Damian Grin thotë se ky skandal është shokues, pasi një kriminel është i lirë dhe lëviz në rrugët e Britanisë. Më këto fjalë mbyllet artikulli i “The People”. Burime nga policia shqiptare bënë të ditur se një vit më parë, Gjykata Angleze lejoi ekstradimin e Afrim Sinanit, por procesi mbeti pezull për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Vrasja për të cilën kërkohet Afrim Sinani
Afrim Sinani, 34 vjeç, baba i katër fëmijëve kërkohet nga drejtësia shqiptare për të përfunduar dënimin prej 22 vitesh burg të lënë në mes, pas arratisjes nga burgu i Bënçes në vitin 1997. Gjykata e Kukësit më 29 tetor 1996 e shpalli fajtor për vrasjen e Naim Sinanit, ngjarje e ndodhur më 4 janar 1996, të cilën ai pretendonte se e kishte kryer si hakmarrje për vrasjen e babait. Ai u arrestua në Angli më 19 dhjetor 2006 dhe në vitin 2008 gjykata lejoi ekstradimin e tij, edhe pse ende asgjë nuk është realizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›