E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy shqiptarëve, kthyen në prostituta nuset italiane

 

ITALI - Dy emigrantë shqiptarë, të cilët kishin përfituar dokumente të rregullta, falë martesës me dy motra italiane, janë arrestuar dy ditë më parë, pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni. Ata i kanë detyruar gratë e tyre, të cilat ishin motra, që të dilnin në rrugë dhe të ushtronin prostitucion. Leonard Sefa dhe Elton Naska, të dy 29-vjeçarë, emigrantë të rregullt nga Shqipëria, janë martuar me dy motra italiane dhe pasi i kanë marrë dokumentet që kërkonin, nëpërmjet kërcënimeve dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre, i kanë detyruar të prostituojnë, në Kazerta të Italinës. Leonard Sefa dhe Elton Naska tani do të përballen me akuzat e favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit dhe gjenden në burgun e Santa Maria Capua Vetere në pritje të shqyrtimit gjyqësor. “Dy shqiptarët e dyshuar, janë arrestuar si të akuzuar për shfrytëzim të prostitucionit. Ata ishin martuar me dy motra italiane, për të siguruar dokumentet e qëndrimit të ligjshëm në Itali dhe më pas i kanë detyruar të prostituojnë”, shkruajnë mediat italiane, duke iu referuar policisë. Leonard Sefa dhe Elton Naska, të dy 29-vjeçarë me origjinë shqiptare, janë arrestuar në Kazerta, pas hetimeve që ishin bërë për ta, si rezultat i denoncimeve që kishin bërë bashkëshortet e tyre italiane. “Të dy ishin martuar me dy motra nga Marcianise, 24 dhe 26 vjeçe, për të siguruar dokumentet dhe më pas i detyruan të prostituonin” shkruhet në gazetat italiane. Nga hetimet ka rezultuar se shqiptarët, çdo mëngjes i shoqëronin gratë e tyre në rrugën Statale Appia dhe përmes makinës kontrollonin aktivitetin e tyre prostitutuues dhe mblidhnin paratë e klientëve të fituar, ka deklaruar shefi i Komisariatit të Sessa Aurunca, Giovanni Stagliano. Një prej dy grave të reja, ishte detyruar të prostituonte edhe pse ajo vuante nga një formë e sëmundjes vdekjeprurëse të tuberkulozit në fazë akute, duke sjellë kështu rrezik evident për infektim të të tjerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›