S‘paguan dritat,lë gjithë lagjen në errësirë
TIRANE - Lagjja “Ali Demi” në Tiranë ka mbetur në errësirë totale dy ditë më parë, pasi një person që nuk kishte paguar energjinë, ka këputur të gjithë telat e zonës, në shenjë hakmarrje për ndërprerjen që kishte në banesën e tij. Kanë qenë denoncimet e banorëve të mbetur në errësirë, ato që kanë vënë në lëvizje Policinë e Komisariatit nr.1, duke bërë të mundur arrestimin e Çlirim Dumit. Burime nga policia bënë të ditur se 35-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e së shtunës, ndërkohë që menjëherë është bërë i mundur rregullimi i linjës elektrike, të cilin ai e kishte shkëputur totalisht në zonë. Të njëjtat burime bënë të ditur se Çlirim Dumi njihet si person me precedentë të mëparshëm penale, madje edhe për vrasje të mbetur në tentative. Ai njihej si një person problematik në zonën ku banonte, si për policinë, ashtu edhe për KESH-in, pasi prej muajsh me radhë nuk i paguante faturat e energjisë elektrike. Kjo ka qenë arsyeja për të cilën atij i është ndërprerë energjia ditën e shtunë, në mënyrë që ai të paguante edhe faturat e prapambetura. Por ai jo vetëm që nuk ka paguar asgjë, por edhe ka vendosur që për faj të tij ta “pësojë” e gjithë lagjja “Ali Demi”, ku ai banonte. Kur ka parë që të gjitha familjet e tjera kishin drita, ndërsa familja e tij ndodhej në errësirë, ka vendosur që t’i presë të gjithë telat që furnizonin me energji elektrike lagjen, duke i lënë të gjithë pa drita. Veç kësaj ai ka marrë edhe një armë të cilën e mbante në shtëpi pa leje, duke qëlluar me të në ajër në shenjë proteste. Banorët e alarmuar për atë çfarë po ndodhte kanë lajmëruar menjëherë policinë e Komisariatit nr.1, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por kanë hasur në rezistencën e 35-vjeçarit Dumi. Përveçse i ka kundërshtuar në momentin që policët kanë qenë duke e shoqëruar drejt fugonit, për ta çuar në komisariat, ai i ka fyer, duke tentuar që t’i ndalonte ta shoqëronin. Kjo i ka kushtuar prangat, madje edhe një padi në gjykatë që pritet të bëhet së shpejti nga KESH. Tashmë Çlirim Dumi akuzohet për shkatërrim të rrjetit elektrik, prishje të rendit dhe qetësisë publike, armëmbajtje pa leje dhe fyerje për shkak të detyrës.