E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurdët kalonin në Itali me dokumente identiteti sllovene të falsifikuara

13/06/2005  Trafikantët turq i pajisnin me dokumente identiteti të falsifikuara sllovene dhe kroate, klandestinët kurdë, të cilëve u premtohej Evropa kundrejt tre mijë eurove. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se nga hetimet e kryera është arritur të zbardhet gjithë skema e trafikimit të kurdëve nga Turqia drejt Italisë. Sipas burimeve, kurdët udhëhiqeshin prej trafikantëve nga Stambolli drejt Tiranës, duke udhëtuar me linjën ajrore “Turkish Airlines”. Klandestinët strehoheshin për disa ditë në Tiranë dhe pastaj trafikoheshin prej shqiptarëve drejt Kosovës, ku i priste një turk. Ky i fundit u siguronte atyre dokumente identiteti të falsifikuara sllovene dhe kroate. Me anë të këtyre dokumenteve, ata udhëtonin në këto dy shtete dhe më pas drejt Italisë.

Hetimi

Përgjimet telefonike të kryera nga drejtësia shqiptare në bashkëpunim me atë turke, kanë nxjerrë në dritë gjithë funksionimin e rrjetit që trafikonte kurdë nga Lindja e Mesme drejt Italisë. Disa anëtarë të kësaj bande, shtetas turq, siguronin klandestinët kurdë, të cilët trafikoheshin fillimisht drejt Shqipërisë. Ndërsa më pas, ata dërgoheshin në Kosovë nga një taksist shqiptar dhe një turk që qëndronte aty, siguronte lëvizjen e klandestinëve kurdë drejt Evropës. Në Kosovë, ata pajiseshin me dokumente identiteti sllovene e kroate të falsifikuara. Por ende kanë mbetur enigmë gjeneralitetet e turkut, që menaxhonte trafikun nga Kosova. Kjo, pasi asnjëherë gjatë bisedave telefonike, nuk është përmendur emri i tij i plotë. Prokuroria ka vërtetuar se ky turk me rezidencë në Kosovë, komunikonte me bashkatdhetarët e tij që siguronin klandestinët, dhe i priste teksa mbërrinin nga Shqipëria. Ndërsa më pas, në rrugë nga më të ndryshmet, ilegalisht ose me dokumente nënshtetësie të falsifikuara, i trafikonte drejt Sllovenisë e më pas në Itali. Policia e Tiranës arrestoi disa javë më parë katër pjesëtarë të kësaj bande trafikantësh. Kështu u prangosën një maqedonas, Ali Ademi, dy shtetas turq, Yasin Ozel e Ayhan Dogan dhe shqiptari Hysni Mali, i cili i trafikonte kurdët drejt Kosovës. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›