E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafikonin klandestinë si gazetarë, me viza sllovene

13/06/2005  Të arrestuarit Thanas Mocka dhe Alfons Uka, siguronin karta gazetari të falsifikuara kundrejt 1500 eurove

Arrestohen dy trafikantë klandestinësh, të cilët i pajisnin me karta gazetari të falsifikuara, të interesuarit për të shkuar jashtë shtetit. Thanas Mocka, 58-vjeç nga Vlora e me banim në Tiranë dhe Alfons Uka, 40-vjeç nga Puka me banim në kryeqytet, janë arrestuar mëngjesin e djeshëm nga oficerët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve. Ata akuzohen për dhënie ndihme për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe bajtje pa leje të armëve të gjuetisë. Nga hetimet, policia ka konkluduar se dy të arrestuarit u siguronin viza sllovene klientëve të tyre, sikur ishin me detyrë gazetarë.

Trafiku

Dy të pandehurit për trafikim të klandestinëve, 58-vjeçari Mocka dhe 40-vjeçari Uka, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për qëllime përfitimi i kanë dhënë ndihmë pesë personave që të sigurojnë viza sllovene. Me anë të këtyre vizave, personat e interesuar për të shkuar në Evropë, udhëtonin fillimisht me destinacion Slloveninë e më pas kalonin drejt Italisë. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se të arrestuarit i pajisnin me dokumenta të falsifikuara gazetari personat që largoheshin jashtë. Burimet sqarojnë se me anë të këtyre dokumenteve, ata aplikonin në Ambasadën Sllovene për të siguruar vizat me të cilat udhëtonin lirshëm drejt këtij vendi, që është shtet fqinj me Italinë. Ndërsa më pas ata kalonin ilegalisht kufirin slloveno-italian dhe për disa orë udhëtim në këmbë, mbërrinin në Trieste. Sipas policisë, dy të prangosurit përfitonin nga 1500 euro për çdo person që arrinte në Itali.

Arrestimi

Arrestimi i Mockës dhe Ukës, ka ardhur pas sigurimit të informacioneve dhe verifikimeve të dokumentave të personave që kanë tentuar të kalojnë për në Itali me viza sllovene. Nga këto verifikime është konkluduar se ata në të vërtetë nuk ishin me detyrë gazetarë dhe se këto dokumente të falsifikuara i kishin përdorur për të siguruar vizat sllovene. Pasi policia ka zbuluar emrat e personave që kishin siguruar karatat e gazetarit, kanë ushtruar kontroll në banesat e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Alfons Ukës, policia ka gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke të pajisur me dylbi. Një pistoletë m-85 neuroparalizuese, me 10-karikator dhe 10-fishekë neuroparalizues. Këto armë Uka rezulton se i ka mbajtur pa leje, pohuan burimet e policisë. Dy të arrestuarit Uka dhe Mocka, akuzohen për veprat penale të parashikuara nga nenet 298/2, 186 dhe 280 të Kodit Penal. Ata akuzohen, për "dhënie ndihme për kalim të Paligjshëm të kufirit", me qëllim përfitimi, "falsifikim të dokumenteve" dhe "mbajtje pa leje të armëve të gjuestisë".

TË ARRESTUAR

• Thanas Mocka 58 vjeç

• Alfons Uka 40 vjeç

AKUZAT

• “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit"

• "Falsifikim të dokumenteve"

• "Mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë"

ARMËT E SEKUESTRUARA

• Një armë gjahu teke e pajisur me dylbi

• Një pistoletë m-85 neuroparalizuese me 10-karikatorë

• 10-fishekë neuroparalizues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›