E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdisjet, brengë e FIFA-s

FIFA është e brengosur për kurdisjen e ndeshjeve, të cilat e kanë përfshirë pothuajse tërë futbollin evropian, por edhe më gjerë. Shtëpia e futbollit botëror kërkon të përpilohet një strategji për ndalimin e kësaj dukurie negative.

“Viti 2012 është viti kur futbolli duhet të reagojë kundër ndeshjeve të kurdisura. Kundër këtyre praktikave nevojitet një koordinim ndërkombëtar dhe legjislacione kombëtare”, deklaroi Chris Eaton, përgjegjës për siguri të FIFA-s, në një konferencë për shtyp.

Sipas Interpolit, përfitimet nga bastet legale dhe ilegale sillen nga 400 deri në 500 miliardë euro në vit. “Nga 5 deri në 15 miliardë të përfitimeve arrijnë nga manipulimet e ndeshjeve”, vazhdoi Eaton.

FIFA synon ta zhdukë bastin ‘klandestin’. Ky institucion planifikon ta stabilizojë një bashkëpunim me Interpolin, me të cilin do të merren me ndalimin e kësaj dukurie.

Ideja e FIFA-s është që të krijohet një sistem sinjali i avancuar, i cili do të mundësonte të ndalej manipulimi i ndeshjeve. Këtë vit, FIFA planifikon t’i dërgojë inspektorët e saj në Azi, Amerikë dhe në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›