Kurmema, avokati kërkon ekspertim daktiloskopik
13/05/2005 TIRANË – Prokuroria paraqiti dje në gjykatë provat e fundit kundër të pandehurit Astrit Kurmema, akuzuar për vrasje me paramendim të shtetasit Luan Muça në Shkodër. Një pistoletë e gjetur në vendin e ngjarjes, kapuç, 8 gëzhoja, një palë dorashka, një kavanoz, ku janë gjetur gjurmët e gishtave të të pandehurit, këto ishin provat materiale të sjella nga Prokuroria, me anë të të cilave vërtetohet se autori është Astrit Kurmema. Por ky i fundit, nëpërmjet avokatit Vladimir Meçi, ka refuzuar gjithçka. Sipas avokatit, organi i akuzës ka bërë punë të njëanshme në këtë drejtim. Avokati i kërkoi gjykatës kryerjen e ADN-së për të pandehurin, kërkesë e cila nuk u pranua. Pas rrëzimit të saj dhe pranimit të provave të akuzës, avokati u detyrua të kërkojë kryerjen e aktit të ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve të gishtave. Pas kësaj kërkese, ishte prokurorja ajo që donte kohë për të dhënë mendimin e saj.