E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëhelmohet në shtëpinë e prindërve, shpëton mrekullisht

13/05/2005  Ka ardhur për vizitë te prindërit në Tiranë, por ka tentuar të vetëhelmohet me fostoksinë. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e familjarëve të saj, të cilët e kanë shoqëruar urgjentisht në spital, që i ka shpëtuar jetën mrekullisht. Alketa Kuçana nga Burreli, rreth 27 vjeçe, me banim në vendlindjen e saj në Burrel, ka tentuar të vetëflijohet pasditen e djeshme në banesën e prindërve në Tiranë, ku kishte ardhur për vizitë. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e prindërve që ka bërë mrekullinë. Sipas burimeve, Alketa Kuçana, e cila ishte e martuar në Burrel, ku edhe jetonte, kishte ardhur te prindërit për vizitë, të cilët jetonin prej disa vitesh në Tiranë. Sipas rrëfimit të prindërve të dhënë në polici, 27-vjeçarja kishte qenë në dhomën tjetër ku kishte gëlltitur fostoksinën. Menjëherë pasi kanë dëgjuar lëngimin e të bijës, prindërit kanë shkuar në dhomën ku ajo qëndronte dhe e kanë shoqëruar për në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve. Koha e shpejtë e dërgimit në spital ka bërë të mundur mbijetesën e Alketës. Burimet thonë se nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se e reja ka tentuar të vetëvritet për shkak të konflikteve që ka pasur me të shoqin dhe familjarët e tij. Të paktën ky ka qenë versioni më i mundshëm që kanë shkëputur hetuesit nga goja e prindërve së të dëmtuarës, thonë burimet. Ato shtojnë se policia do të marrë në pyetje edhe të dëmtuarën për të konkluduar në një version zyrtar rreth shkaqeve që e çuan drejt vetëvrasjes. Por do të pritet që gjendja e saj të përmirësohet, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›