E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kurthi" i policisë për studenten me kokainë

Nga Geti Xhaja
Pas arrestimit studente e Fakultetit të Mjekësisë, janë prangosur edhe dy vëllezërit të akuzuar si organizatorë të trafikut të drogës. Kokaina dyshohet të ketë hyrë me kutitë postare nga Italia dhe trafikohej në Greqi. 

TIRANE Mbyllet me tre të arrestuar dhe 612 gramë kokainë të sekuestruar, operacioni antitrafik i Antikrimit të organizuar dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Operacioni kishte për qëllim goditjen e një rrjeti të trafikut të kokainës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Zëdhënësi Klodian Branko deklaroi dje se pas arrestimit të korrieres Aurora Liço, 21 vjeçe, studente e Fakultetit të Mjekësisë, janë prangosur edhe dy vëllezërit organizatorë, Ilia Naslazi, 46 vjeç, i njohur edhe me emrin Arben Naslazi dhe Pandush Naslazi, 36 vjeç, ky i njohur edhe me emrin Fredi Naslazi. Kokaina dyshohet të ketë hyrë me kutitë postare apo automjete që vijnë nga Italia, dhe trafikohej me korrierë për në drejtim të Greqisë.
Arrestimi
Ishte hera e tretë që skuadra e Antikrimit të organizuar mbërrinte në Korçë për të kapur studenten korriere të drogës, dhe duket se ka rezultuar e "vërteta". Ekipi i operacionet kishte siguruar informacione të sakta se të shtunën, Liço transportonte kokainë në drejtim të Greqisë, me taksinë që kishte faturuar. Për të provuar akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, oficerët e maskuar të Antidrogës kanë pritur që Liço të vuloste pasaportën në sportelin shqiptar të Doganës së Kapshticës dhe më pas kanë ndërhyrë. Në çantën e studentes policia gjeti sasinë e lëndës narkotike, që përbënte edhe provën më të rëndësishme që faktonte trafikun. Grupi tjetër operacional vetëm pak kohë më vonë do të raportonte arrestimin e dy vëllezërve Naslazi, të cilët kishin njohje shoqërore me studenten. Sipas burimeve, Ilia që përdorte edhe emrin Arben, dyshohet të jetë organizatori i këtij rrjeti.
Hetimi
"Grupi i Ilia Naslazit ishte nën survejim dhe përgjim prej rreth 3 muajsh", - ka thënë për Gazetën një prej oficerëve të lartë të Antikrimit të organizuar në polici, sipas të cilit, vetëm studentja Liço dyshohet të ketë kaluar në Greqi 3 'ngarkesa' me drogë. Destinacioni i trafikut mësohet se është Selaniku, ku Liço ua dorëzonte kokainën rrjeteve greke të shpërndarjes së drogës. Policia ka nisur hetimin nëpër pikat e kalimit kufitar, nga ku dyshohet të ketë hyrë lënda narkotike.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›