Policia rrugore: Do ashpërsojmë masat
Vazhdojnë masat e policisë rrugore për shoferët të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Shërbimet e Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 1397 masa administrative, me vlerë 1973000 lekë dhe janë pezulluar pesë leje drejtimi. Policia e Tiranës, duke bërë apel çdo ditë, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor të përcaktuara në Kodin Rrugor. Sipas policisë rrugore, nëse situata do vazhdojë me këto ritme, do ashpërsohen masat edhe më shumë, deri në ndërgjegjësimin e plotë të drejtuesve të automjeteve. Policia rrugore shprehet e bindur në luftën e saj për uljen e numrit të aksidenteve.