Tranvestitët, ceremoni mortore për "Kristinën"
Tranvestiti 38-vjeçar, Petrit Muçaj, i njohur ndryshe me nofkën "Kristina", është përcjellë për në banesën e fundit pas një ceremonie mortore modeste nga komuniteti ku bënte pjesë. Pasi kanë marrë me qira një banesë në kryeqytet, miqtë e 38-vjeçarit kanë kryer ritet që sipas tyre i meritonte viktima që disa ditë më parë humbi jetën pak metra larg Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. 38-vjeçari nga Elbasani, Petrit Muçaj, prej vitesh ishte pjesë e një grupi tranvestitësh të cilët qarkullojnë në kryeqytet, duke u endur shpesh në kërkim të klientëve. Komuniteti i tyre ka kërkuar që organet përkatëse të krijojnë kushte për një jetesë normale edhe për ta. Ndërsa për viktimën, policia tha se ishte arrestuar disa herë për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale, si dhe ishte akuzuar për vjedhje, denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të tranvestitëve që gjenden pas Pallatit të Kulturës. Për disa ditë trupi i tij u mbajt në morgun e Tiranës, pasi nuk u paraqit asnjë familjar për ta tërhequr atë. Kësisoj, komuniteti i tranvestitëve vendosi të kryejë privatisht ceremoninë mortore.