E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kush e ka fajin që s'jam shqiptarë”, së shpejti në Bylis

Autori i Lajmit: red.
"Kush e ka fajin që jam shqiptar" titullohet premiera që do të vihet në skenë së shpejti nga trupa e teatrit "Bylis" në Fier, me regji të aktorit të madh kosovar Enver Petrovci, në të njëjtën kohë edhe autori i kësaj pjese. Trupa e teatrit të Fierit është aktualisht në fazën e provave për vënien në skenë të kësaj premiere, e cila do të shfaqet në skenën e teatrit "Bylis" dhe në amfiteatrin e qytetit antik të "Apollonisë". Regjisori Petrovci tha se "ka një komunikim, mirëkuptim dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes aktorëve dhe gjithë stafit realizues". Në rolet kryesore janë angazhuar aktorë të njohur fierakë që dinë ta zotërojnë skenën, të përcjellin mesazhe dhe emocione artistike me publikun, ndër të cilët përmenden Fatmir Xhelili e Klajdi Marku. Kjo vepër e shkruar nga Petrovci në vitin 1994 ka në qendër jetën e një artisti të madh kosovar. Ai braktisi vendet e mëdha dhe të zhurmshme, ku e priste karriera dhe kthehet në provincën e tij . Fillimisht ai pritet me madhështi, për t u përballur më pas me problematikën e shumtë provinciale. "Ngjarja merr spunto në Kosovë, por ajo është aktuale për popujt e Ballkanit ", pohon Petrovci, për të cilin ky është bashkëpunimi i parë me një trupë shqiptare, suksesi i të cilit do të vulosë kontrata të tjera bashkëpunimi. "Më ka tërhequr qyteti i Fierit si një qytet artdashës, trupa e tij teatrale e mrekullueshme", vijon Petrovci, ndërsa vlerëson kontributin e bashkisë për financimin projekteve kulturore, siç është festivali mbarëkombëtar i aktrimit tashmë i kthyer në traditë.

Ky lajm është publikuar: 30/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›