E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e zhduku Migjenin nga tekstet shkollore të letërsisë?!

Nga Rita Petro*

Ndiej përgjegjësi qytetare dhe profesionale që t’i përgjigjem artikullit botuar te Gazeta Shqiptare në dt. 27 nëntor me kryetitullin bombastik: “Zhduket Migjeni nga tekstet shkollore të letërsisë”. Po që të mos bie në kurthin e kësaj mode të të shkruari, po parashtroj të gjitha faktet dhe argumentet që hedhin poshtë shkrimin e lartpërmendur.

Nëse flasim për formimin letrar të nxënësit në shkollën e mesme dhe nëse duam të bëjmë një analizë për programet dhe tekstet e kësaj lënde, atëherë duhet të jemi shumë seriozë në nxjerrjen e konkluzioneve; studiuesi Gjoka që ishte shqetësuar për mungesën e disa autorëve të traditës në lëndën e letërsisë, nuk mund të ndalet vetëm në një libër dhe aq më keq, vetëm në përmbajtjen e një libri.

Programi i letërsisë së shkollës së mesme është hartuar që në vitet 1997-1998 dhe lidhet me kornizën kurrikulare të shkollës së mesme të profilizuar. Në tekstin Letërsia dhe gjuha shqipe 2, kopertina e të cilit është nxjerrë në gazetë, janë paraqitur shumë qartë në parathënie kriteret e hartimit të tekstit mbi bazën e programit të miratuar nga MASH-i:

Integrimi Letërsi – gramatikë / Integrimi Letërsi – komunikim / Integrimi

Letërsi – kulturë të shkruari dhe të foluri.

Shumë shkurt po jap kriteret që janë shkruar në parathënie:

“Programi e parasheh studimin e letërsisë nëpërmjet tri ndarjeve që kanë në bazë llojet kryesore letrare: Poezi, Prozë, Dramë… Ky konceptim i programit i jep përparësi zhvillimit të formave letrare, prandaj janë shmangur nga teksti njohuritë e tepërta për zhvillimet historike letrare, përfaqësuesit dhe veprat e tyre…, të cilët studiohen sipas epokave letrare në vitin e tretë (Letërsia antike; Rilindja evropiane dhe ajo shqiptare; Romantizmi evropian dhe ai shqiptar) ndërsa në vitin e katërt (Letërsia botërore dhe ajo shqiptare e shekullit XX;).

Pra, që të thuash se nxënësi nuk studion në shkollë autorët shqiptarë si Migjeni, Mjeda, De Rada, Asdreni etj. duhet të kesh në dorë të gjitha programet dhe tekstet e shkollës së mesme. Asnjë nga autorët e përmendur në shkrim nuk është “zhdukur”!!!, aq më tepër Migjeni.

Në letërsinë e komentuar të vitit të dytë Migjeni vjen edhe si poet me Baladë qytetëse dhe Nën flamujt e melankolisë edhe si prozator me Historia e njenës nga ato. Në letërsinë e vitit të tretë Migjeni studiohet 5 orë ku si objektiv në program është analizë dhe koment nga Vargjet e lira dhe nga Novelat e qytetit të Veriut. (autor i këtij kapitulli është prof. Sabri Hamiti). Përveç kësaj 1 orë më vete studiohen veçori të gjuhës së Migjenit (nga autor prof. Xhevat Lloshi).

Në vitin e parë De Rada përfaqësohet me veprën e tij të plotë Këngët e Milosaos, e cila jo vetëm që analizohet, por komentohen më shumë se 6-7 fragmente të saj. Në vitin e tretë, De Rada studiohet si përfaqësues i romantizmit shqiptar me 4 orë dhe analizë e komente të veçanta merren nga vepra tjetër e tij Serafina Topia. Po ta krahasosh me Gëten nga letërsia botërore, ky i fundit studiohet me 3 orë. (e përmenda këtë për të qetësuar studiuesin se nuk i është hyrë aspak në pjesë autorëve shqiptarë, aq më tepër atyre të traditës).

Mjeda studiohet në vitin e katërt ku përfshihet Letërsia shqipe dhe botërore në gjysmën e parë të shek. XX. Në dispozicion të tij janë vënë 5 orë, ku kërkohet analiza dhe komenti i kryeveprës së tij Andrra e jetës dhe i poezive nga Juvenilja. Ndërsa në 1 orë më vete studiohet gjuha e tij.

Asdreni studiohet në vitin e katërt me 4 orë, ku analizohet vëllimi i tij Psallme murgu dhe 1 orë studiohet gjuha e tij.

Mënyra se si sot studiohet qoftë letërsia shqiptare apo dhe ajo botërore ndryshon kryekëput me mënyrën se si është studiuar më parë, kur mbivlerësohej kriteri tematik, përmbajtja; analizat bëheshin vetëm sipas teorisë së realizmit socialist; ka disa vite që studiuesit më në zë të letërsisë shqiptare S. Hamiti, K. Gjika, Dh. Shehri, Y. Çiraku, A. Aliu, Sh. Sinani, Gj. Zheji etj., dhe asaj botërore A. Marashi, L. Canaj etj. janë bërë pjesë e një studimi të moderuar të letërsisë, e cila nuk mund të flitet më se është e censuruar në shkollë. Autorë si Koliqi, Konica, Camaj, Trebeshina, Pashku etj që i kanë munguar teksteve tona, tashmë kanë orët e tyre të veçanta dhe studimi i veprës së tyre ka kohë që bëhet në shkollë. Në aparatet didaktike ka pyetje të veçanta për kuptimin e tekstit, për interpretimin e tij nga ana e nxënësve, për gjuhën që përdorin autorët, për veçoritë e përkthimeve të kryeveprave të letërsisë botërore. Tashmë nëpërmjet letërsisë integrohen dhe njohuri nga artet e tjera si skulptura e piktura, nga kinematografia, nga arkitektura, ku sillen për herë të parë prurjet e artistëve më të mirë shqiptarë përkrah atyre botërorë. Lidhja e letërsisë me kulturën gjuhësore u ka mundësuar autorëve të teksteve dhënien paralelisht të zhvillimeve të letërsisë shqiptare me ato gjuhësore. Nëpërmjet analizave letrare e gjuhësore nxënësi njihet me mënyrën se si e kanë shfrytëzuar dhe përdorur gjuhën shqipe shkrimtarë të ndryshëm, nëse kanë shkruar sipas standardit apo në dialekt; përdorin fjalë të rralla krahinore apo gjuhën e të folmeve të ndryshme me anën e së cilës tipizojnë personazhe dhe mjedise të ndryshme. Si shembull konkret do të sillnim për këtë temën për Toponimet, e cila zhvillohet menjëherë pas komentit të romanit Lumi i vdekur nga Jakov Xoxa, kur dihet që teksti i tij ka një pasuri të jashtëzakonshme në përdorimin e toponimeve. Nga ana tjetër, eseja letrare si një shkrim që qëndron mes shkrimit letrar dhe kritikës letrare ilustrohet nëpërmjet njërit prej themeluesve të saj në shqip, nga Faik Konica dhe integrohet me temat e letërsisë.

Këto përparësi e të tjera në trajtimin e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë fillimisht e gjetën mësuesin e letërsisë të papërgatitur, pasi ai kishte vetëm një mënyrë skematike të trajtimit të letërsisë, gjë që është shmangur më pas. Falë këtyre trajtimeve të moderuara tekstet e letërsisë i vlejtën jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesit, i cili “bëri një universitet të ri” prej tyre. Është rasti të përmendet këtu “Letërsia moderne shqiptare” e prof. Sabri Hamitit, botuar nga Albas, që shumëkush e di fatin e këtij libri të censuruar nga MASH në vitet 1998-2000, por që shumë shpejt u kthye në një tekst biblik për mësuesit, të cilët nuk kishin asnjë tekst normativ shtetëror dhe asnjë botim tjetër në dorë për Letërsinë e gjysmës së parë të shekullit XX. I përmend të gjitha këto fakte për të treguar se diskutimi i formimit letrar të nxënësit në shkollë kërkon një punë shumëplanëshe dhe si rrjedhim të mundimshme.

Tashmë programet e letërsisë për shkollën e mesme të reformuar janë në diskutim, pasi reforma e altertekstit do të aplikohet për herë të parë në shkollën e mesme në vitin shkollor 2009-2010. Ne si specialistë të kësaj lënde jemi të shqetësuar nga ideja që letërsia do të kalohet si lëndë me zgjedhje. Prandaj pa u bërë fakt i kryer nga MASH, gjejmë rastin ta bëjmë publik shqetësimin tonë se programi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë duhet t’i nënshtrohet një tryeze të hapur me specialistët më të mirë të gjuhës dhe të letërsisë.

Një nga problemet që është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet joprofesionalisht (edhe në artikullin në fjalë) është ai i tezave të maturës shtetërore. Duhet ta kemi të qartë të gjithë se nuk është fragmenti ai që përcakton se sa di një nxënës, por standardi, objektivi letrar e shkencor që ai ka mësuar në lëndën e letërsisë. Nëse ne duam të dimë se nxënësi e njeh sa duhet anën simbolike apo filozofike të poezisë së Lasgushit, apo hermetizmin e Camajt, nuk ka rëndësi se zgjidhet poezia Vdekja e nositit apo Gjeniu i anijes. Rëndësi ka që nxënësi të ketë mësuar çelësin për të komentuar një poezi filozofike, qoftë kjo e Poradecit apo e Tomas Eliotit. Nëse do të vazhdojmë ta studiojmë letërsinë vetëm si një disiplinë të subjektivizmit dhe nuk do t’i kemi që në fillim të qarta se dhe ajo si çdo disiplinë tjetër ka objektivat e veta rreptësisht të sakta e shkencore, atëherë do të na kapë anarkia dhe asnjëherë nxënësi ynë nuk do të dijë të lexojë e të interpretojë ashtu si duhet. Në këtë rast është një përgjegjësi e madhe e institutit të kurrikulave që të përcaktojë në mënyrë krejtësisht të saktë objektivat letrarë, pasi prej tyre varet se si do të hartohen tekstet e letërsisë, mënyra se si do të studiohet letërsia në shkollë, por edhe testimi përfundimtar në maturën shtetërore, që është testim jo vetëm për nxënësit, por edhe për programet dhe tekstet.

Ajo që është me të vërtetë për t’u shqetësuar, sepse te ne gjithkush jep mendim për gjithçka, është fakti se mungojnë analizat studimore; monitorimi i specializuar apo i institucionalizuar. Asnjëherë një tekst apo një program nuk mund të analizohet pa u pranëvendosur me të gjithë linjën e teksteve dhe të programeve të tjera. Asnjëherë nuk mund të japësh një mendim serioz për anët pozitive apo negative të një linje të re tekstesh apo programesh pa një testim të nxënësve në fund të vitit shkollor. Pra, duhen bërë analiza studimore, jo me qëllimin për të bërë shoë, por me qëllimin që të bëhet më e mira për shkollën shqiptare.

*Autorja është specialiste didaktike dhe autore tekstesh shkollore. Ka dhënë një kontribut të madh për njehsimin e programeve mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit. Bashkëpunimi i saj me studiuesin Sabri Hamiti ka thyer barrierat e MASH deri në momentin sa autorët e mohuar t’u ktheheshin me dinjitet teksteve shkollore. (Red-TemA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›