Përdorimi politik i Lulzim Bashës
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, po përdoret politikisht prej kryeministrit, Sali Berisha, si një viktimë e betejës së tij politike kundër drejtësisë. Njësoj si në momentet e heqjes së imunitetit, Basha po dëshmon publikisht mungesën e individualitetit të tij politik dhe aftësinë për të marrë vendimet për veten e tij. Në fillim të këtij viti, kur prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të zotit Basha, Berisha e kundërshtoi atë fort dhe e dërrmoi në opinion publik si një politikan pa personalitet. Ai refuzonte të dorëzonte imunitetin, kur refuzonte Berisha dhe e hoqi gjithë teatralitet, kur e urdhëroi Berisha. E njëjta skenë po përsëritet. Sapo prokuroria njoftoi se e ka marrë të pandehur zotin Basha dhe se do t’i komunikojë atij akuzën, Basha, i cili u nxitua dhe foli pa marrë leje, tha se të nesërmen do të jetë në prokurori dhe do të përballet me akuzën. Por duket se kishte folur pa leje. Kryeministri e ka thirrur dhe e ka qortuar rëndë, se ai po përfill drejtësinë dhe të nesërmen, sikur të mos kish ndodhur asgjë, Basha dërgoi një avokat, i cili dhe konferencën për shtyp e dha në periferi të Tiranës sikur ishte ilegal.
Ajo çfarë Berisha po bën në këtë rast është e qartë. Ai po përpiqet ta përdorë Lulzim Bashën politikisht si një viktimë të drejtësisë, me të cilën ka filluar betejë politike. Duke e marrë Bashën si kavie eksperimentale të viktimave që do prodhojë kjo betejë, Berisha është duke testuar realisht dhe fatin e dy dosjeve të tjera, asaj të Gërdecit dhe Fazlliçit ku drejtësia mund të ballafaqohet me pjesëtarë biologjikë të familjes së tij. Për t’i dalë përpara kësaj të keqeje, Berisha ka zgjedhur Bashën si viktimë dhe po e poshtëron atë publikisht.
Tashmë përballë nesh është një ministër i Jashtëm që na gënjen publikisht, që na thotë se “do shkoj të ballafaqohem me drejtësinë” dhe pastaj i bën bisht. Arsyeja reale është se kemi një ministër të Jashtëm që nuk ka personalitetin e tij dhe që po rrezaton në opinionin ndërkombëtar kapjen e institucioneve prej kryeministrit Berisha. Ajo që lexon opinioni ndërkombëtar pas gjestit të Bashës, nuk është fajësia apo pafajësia e tij, por vullneti i qeverisë për të bërë betejë politike kundër drejtësisë dhe institucioneve të pavarura duke përdorur kamikazin Basha.
Përpos kësaj, rruga Rrëshen- Kalimash është një dosje e shëmtuar që dëshmon arrogancën politike të pushtetit për të shkelur ligjet. Nuk ka rëndësi sa është vjedhur dhe sa mund të vidhet akoma në atë rrugë. Aty mund të mos ishte vjedhur dhe asnjë metër kub beton dhe përsëri ministri Basha të shkonte në burg me atë batërdi ligjore që ka bërë duke shkelur çdo rregull dhe ligj të këtij vendi për ndërtimin e një rruge. Ai i gjithi është një proces i dështuar administrativisht, ku letrat dhe shkresat janë bërë, pasi janë mbaruar punët. Dhe në këtë rast, mënyra më e mirë për të shkarkuar përgjegjësinë është bashkëpunimi me drejtësinë për ta sqaruar çështjen. Mënyra se si po sillet Berisha dhe keqpërdorimi që ai po i bën Lej Fenit, Lulzim Basha, tregon se Berisha nuk është i interesuar që çështja të gjykohet, por që të paragjykohet. Paragjykimi është e vetmja zgjidhje për Berishën në këto momente, pasi ai kërkon që t’iu thotë të paktën të vetëve që nuk kemi vjedhur, por na kanë inat si kundërshtarë politikë. Dhe këtë akuzë po e bën ndaj një kryeprokuroreje që e ka vendosur vetë dhe një presidenti që ka dalë nga partia e tij. Përfytyroni se ç’mund të kishte bërë Berisha në këtë rast, nëse president do të ishte ende Moisiu dhe kryeprokuror ende Sollaku.
Përdorimi politik i Lulzim Bashës në gjithë këtë histori krijon veç të tjerash dhe një përfytyrim real se sa i qartë është në strategjinë e luftës politike kundër institucioneve të pavarura kryeministri Berisha. Ai kërkon me çdo kusht që të kuptohet dhe në opinion se Basha nuk ka shkuar, sepse nuk e ka lënë ai, dhe jo se pse nuk do të shkojë. Por e vërteta e hidhur është se procedura e paligjshme e rrugës Rrëshen- Kalimash është iniciuar nga Basha dhe këshilltari i tij dhe është firmosur nga qeveria. Vetë Berisha nuk ka vënë ndonjë firmë askund që t’i heqësh imunitetin. Kështu që deri në fund të këtij procesi ne do të kemi një shfaqje teatrale, ku Berisha do të përcjellë Bashën drejt bankës së të akuzuarve duke e përdorur politikisht si viktimë politike të kundërshtarëve të tij. Dhe Basha duket se nuk ka as guximin minimal të marrë vetë në dorë fatin e tij politik dhe personalitetin e tij. Ai është thjesht një i dorëzuar në duar të Sali Berishës dhe ai po përpiqet ta shesë sa më shtrenjtë të mundet për të siguruar imunitet ndaj virusit të gjykimit për korrupsion, që mund t’i afrohet derës së familjes së tij.