E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi pranon se është pronar i “Anika Enterprises”, blerësit kryesor të ARMO-s

Nga Tema

Rezart Taçi pranon se tashmë është ai pronari kryesor i ARMO-s. Në fakt, një lajm të tillë ai e ka bërë të ditur për mediat e huaja para disa kohësh.

Konsorciumi, që u mbiquajt amerikano-zviceran, përbëhej nga tri firma “Anika Enterprises”, “U. S. Refinery Associates of Texas” dhe “Mercuria Energy Group”, u shpall fitues në tenderin e kontestuar, për të cilin janë ngritur dhe padi.

E vetmja firmë serioze në konsorciumin që bleu ARMO-n, pikërisht “Mercuria Energy Group”, në site-n e saj publikon një shkrim të “Reuters”, ku Taçi rrëfehet në lidhje me këtë blerje. Ashtu siç ishte denoncuar nga gazeta “TemA”, se në këtë blerje nuk ka asnjë konsorcium amerikano-zviceran, por thjesht “Taçi Oil”, në shkrimin e “Reuters” del qartë se pronari i “Anika Enterprises” është Taçi dhe pikërisht “Anika” ka pjesën e luanit në këtë blerje, pikërisht 70 për qind të aksioneve.

Në shkrimin e “Reuters” thuhet se firma e Taçit, “Anika”, me qendër në Zvicër, për të cilën gjen vetëm një informacion të shkurtër, ku thuhet se ajo operon në fushën e tregtisë së naftës, është aksionarja kryesore.

Kurse për “U. S. Refinery Associates of Texas” nuk ka asnjë informacion, çka konfirmon dyshimet se ajo ishte një stisje për t’i dhënë emër amerikan kësaj blerjeje.

Pikërisht për këtë arsye, tashmë prokuroria e Tiranës ka nisur dhe hetimet, për shkak se këto firma nuk plotësonin kushtet e nevojshme të përcaktuara në tender. Madje, zv/ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, ka ndihmuar firmën duke i dhënë udhëzime se si duhej të vepronte për të plotësuar dokumentacionin. Ndaj tij tashmë po hetohet.

Gazeta “TemA” denoncoi hapur faktin se në arkën e shtetit nuk do të shkojë asnjë lek nga ky privatizim dhe kështu po ndodh. Në buxhetin e vitit që vjen nuk ka asnjë lek nga ky privatizim i quajtur i rëndësishëm, ndërsa Taçi ka nisur me nge rrugën për të bërë lekët e nevojshëm nga ARMO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›