E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen rënia ekonomike në Shqipëri, shitjet bien me 13,5%

Nga Fitim Zekthi

Tremujori i tretë i këtij viti ka dëshmuar qartë se rënia ekonomike në vend është bërë e prekshme, pasi treguesi bazë i saj, niveli i shitjeve, ka rënë me 13,5 për qind. Kjo është shifër shumë e lartë dhe ka ndodhur për herë të parë pas disa vitesh. Me sa duket, rënia e fuqisë blerëse është në ato koordinata, sa shitjet kanë rënë kaq shumë vetëm për tre muaj. Të dhëna zyrtare të Institutit të Statistikave bëjnë të ditur se më shumë se 61,9 për qind e rënies së nivelit të shitjeve ka ardhur në degë të tilla të ekonomisë si tregtia dhe restorantet. Kjo do të thotë se gjatë këtyre tre muajve sektorët ku kanë rënë më shumë shitjet janë dyqanet, ku shiten artikujt bazë të jetës së përditshme dhe kjo ka të bëjë drejtpërdrejt më rënien e fuqisë për të blerë të qytetarëve dhe me rritjen e varfërisë. Ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë të vështirë dhe rënia e shitjeve është treguesi më i rëndësishëm, por megjithatë të tjerë tregues nuk mungojnë. Kështu edhe kreditë e dhëna nga bankat gjatë këtij tremujori për herë parë prej disa vitesh kanë qenë më të ulëta sesa tremujori paraardhës. Vendi është në vështirësi të mëdha ekonomike dhe duket se ato janë më të thella se sa mund të parashikoheshin. Në asnjë vend ku pranohet qartësisht se ka rënë kriza ekonomike nuk ka patur rënie të shitjeve me 13,5 për qind për tre muaj. Madje, nuk ka patur rënie të shitjeve as me gjysmën e kësaj vlere e megjithatë ndërhyrjet e qeverive kanë qenë të forta dhe nuk kanë diskutuar në asnjë moment praninë e krizës. Në rast se shitjet në ekonomi bien, sidomos me vlera të tilla 13,5%, do të thotë se biznesi jo vetëm që ul fitimet dhe nuk merr njeri në punë, por shkurton vendet e punës që ka dhe paguan shumë më pak taksa. Këto bëjnë që varfëria të jetë më e madhe dhe ekonomia të jetë në ngërç. Fondi Monetar Ndërkombëtar me shumë kujdes tha dy muaj më parë se potenciali i ekonomisë shqiptare për të paguar taksa është në rënie dhe është e vështirë që ajo të arrijë të përballojë kërkesat e buxhetit të shtetit. Në fakt ky qëndrim donte të thoshte se ekonomia është në rënie. INSTAT tashmë e pohon ashpërsisht këtë duke publikuar të dhënat për rënie të shitjeve me 13,5% dhe ku kjo rënie ka ardhur në sektorët më domethënës për fuqinë blerëse të popullatës, në artikujt bazë të ditës. Kahja rënëse është shumë e dukshme, ndërkohë që drejtimi shumë i pjerrët do të bëjë që tremujori i katërt të regjistrojë rënie më të madhe. Të dhënat tregojnë për shembull, se disa degë me ndikim të vogël kanë patur rritje të lehtë të shitjeve siç është rasti i industrisë nxjerrëse. Kjo degë nxjerr dhe shet për eksport dhe ka vijuar këtë trajektore. Ndërkohë, industria përpunuese që punëson mbi 110 mijë njerëz ka rëne me 4,5%. Rënie të thella ka patur në përpunimin e drurit, të metaleve, agro-ushqim, ndërtim, transport etj.

Paraja në qarkullim ka rënë me 600 milionë euro për 1 vit

Vlera e parave në qarkullim në Shqipëri gjatë vitit të kaluar pësoi për herë të parë ulje gjatë gjithë dhjetëvjetëshit të fundit. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë thonë se vlera e parasë në qarkullim vjet ishte 161, 181.9 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2006 ajo ishte 168,254.9 milionë lekë. Pra, kemi një ulje të parasë në qarkullim vitin e kaluar në krahasim me një vit më parë, me rreth 70 miliardë lekë ose me rreth 600 milionë euro. Të dhëna të bankës thonë se gjithmonë, çdo vit, vlera e parasë në qarkullim është rritur në vend, ndërsa në vitin 2007 dhe në pjesën e parë të këtij viti po ndodh e kundërta. Specialistë të Ministrisë së Financave thanë dje se kjo ka ardhur për shkak të daljes së madhe të parasë jashtë shtetit dhe për shkak të futjes së parasë në banka. Në të vërtetë e gjithë kjo do të thotë se biznesi nuk investon në nivelet e kaluara. Gjithashtu, fakti që depozitat në banka janë rritur dhe fakti që vlera të konsiderueshme të parasë dalin jashtë vendit e bën më të plotë panoramën e gjendjes së parasë. Çdo vit që prej vitit 2000 të paktën sasia e parave në qarkullim është rritur me 30 miliardë lekë, me 20 miliardë lekë, me 25 miliardë lekë, por rënie nuk ka patur. Rënie në nivele të tilla prej 600 milionë eurosh asnjëherë nuk ka patur. E tërë kjo gjendje e parasë në banka dhe dalja e saj jashtë vendit në një masë të paqartë bëjnë që ekonomia të vihet në vështirësi. 600 milionë eurot e munguara në vitin 2007 do të ishin një shtysë shumë më mirë dhe nuk do të lejonin këtë rënie kaq të dukshme të fuqisë blerëse. Mjetet e vetme me të cilat sasia e parasë në qarkullim mund të rritet kanë të bëjnë me krijimin e mundësisë për biznesin që ai të investojë dhe jo të depozitojë në banka e as të nxjerrë pará jashtë vendit. Është e jashtëzakonshme që brenda një viti sasia e parasë në qarkullim të bjerë me këtë vlerë.

Shtrenjtohen kreditë për shkak të ndikimit të krizës dhe rritjes së normës

Kredia në euro do të jetë më e shtrenjtë për të gjithë ata që do ta zgjedhin si monedhë për të financuar shpenzimet e tyre gjatë pjesës së dytë të këtij viti. Vendimi i para disa ditëve i Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normën bazë të interesit, pritet të prekë edhe sistemin bankar shqiptar. Ekspertët e bankave shpjegojnë efektet e mundshme, si për depozitat e qytetarëve, ashtu edhe për kreditë në valutë. Sipas specialistëve të bankave, shtrenjtimi i euros kundrejt monedhës kombëtare, nëse konstatohet në masë të madhe, do të sillte shqetësime më të mëdha për qytetarët, të cilët kanë një kredi në euro, por që të ardhurat i krijojnë në lekë. Por, pavarësisht lëvizjeve të pritshme, bankierët nuk mendojnë se një vendim për rritjen e interesave në 4.25 për qind nga Banka Qendrore Evropiane, do të sillte një ndryshim të fortë në tregun financiar vendës. BQE rriti normën bazë të interesit nga me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin e 4.25 për qind, për shkak të inflacionit në rritje në vendet e Eurozonës. Por kjo u shoqërua me kundërshtime nga qeveritë e disa vendeve të Bashkimit Evropian, për shkak të ndikimeve negative në bilancin tregtar. Inflacioni në zonën e euros arriti për herë të parë në qershor nivelin e 4 përqindëshit. Niveli më i lartë prej 3,7 për qind i muajit maj është kaluar ndjeshëm, konstatoi Agjencia Evropiane e Statistikave, Eurostat. Megjithatë, rezultati provizor i staticienëve të Luksemburgut jep lajmin që niveli vjetor i inflacionit në zonën e euros për qershorin 2008, vlerësohet në katër për qind. Sikur vlerësimi në dy javët e ardhshme të konfirmohet, atëherë ky do të ishte niveli më i lartë i inflacionit i regjistruar në zonën e euros. Në qershor 2007, rritja e çmimeve në zonën e euros ishte 1,9 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›