E Shtunë, 31 Tetor 2026

MOR(H)ALISTËT!

Nga Inida Gjata ZHAKU

Në Shqipëri, lajmi se dikush humb jetën si pasojë e një aksidenti, çel edicionet, zhvillon edicionet dhe mbyll edicionet informative!

Tashmë kam dëgjuar aq shumë emra shqiptarësh deformuar rrugëve e cepave të territorit të Këtij Farë Shteti, sa nuk përshkruhet!

Ajo që shoqëron çdo lajm të tillë është nga një monument, lapidar, apo (në rastin e më të varfërve) ndonjë pllakë betoni e ngjashme me ndonjë faltore, NGRITUR në vendin e hidhur të ngjarjes zeher! Të përpirë nga tufa lulesh false! Njëlloj si PARIA Shqiptare, e cila vesh çdo ditë një fytyrë false! Një rrobë false! Ushqehet me fjalë false dhe mbulon me falsitet çdo grimë të jetës vet!

Të mbulosh të vërtetën duke bërë sikur ajo nuk ka ekzistuar kurrë, është më keq se të gënjesh! Të shumëzosh me Hiç një njëri, është më keq se ta kesh vrarë! Por, ndryshe nga mëkatet e ndëshkueshme prej njeriut, IMORALITETI ndëshkohet veç prej FATIT. Ose, prej Zotit! Dhe, të ndëshkohesh për IMORALITET do të thotë të marrësh ndëshkimin më të rëndë që ekziston! Të dërrmohet shpirti!

Shoqëria është e gatshme të dëgjojë çdo të vërtetë! E vërteta të bën të respektueshëm! Dinjitoz! Të përulur përpara asaj që është sublime për këdo, FAKTIT!

Media Shqiptare, jo vetëm nuk ka respekt për të vërtetën por as për lexuesit, as për protagonistët e ngjarjeve, as për njeriun e as për MORALIN!

Ka gjithmonë një arsye që e bën median shqiptare fajtore për mosrespektim të individëve që përbëjnë ngjarjet e faqeve të para! Ose abuzojnë me detaje rreth identitetit të tyre. Ose fshijnë krejtësisht, jo vetëm çdo të dhënë, por edhe ekzistencën e individit në këtë planet! Duke e asgjësuar me heshtje për hir të… MORALIT!

Pas gjithë arsyeve që më kanë trishtuar jashtëzakonisht shumë pas shpartallimit të 6000 kubikëve të kuq në mes të kryeqytetit, ajo çfarë më mbushi me maraz qe fakti që Ajo nuk u përmend nga askush!

Ajo nuk kishte nevojë për bujë, as për lavdi! Kishte çfarë donte në jetë! Ajo donte vetëm të shkelte mbi dhé. Të merrte frymë. Të jetonte lirisht. T’i jepte kuptim identitetit të saj.

Dhe Ajo, jo vetëm kish kuptim, por kish edhe një identitet!

Por, përveç rëndësisë se ajo quhej kështu apo ashtu, rëndësi në këtë ngjarje të rëndë që do të vazhdojë të prodhojë vetëm ngjarje të tjera edhe më të rënda, ka fakti që MORALISTËT e një shoqërie të rrënuar si kjo, janë IMORALË!

Me keqardhje të thellë, të thellë për këtë ngjarje ku dy individë humbën jetën prej papërgjegjshmërisë, shpreh ngushëllimet e mia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›