Thellohet përplasja mes Avokatit të Popullit dhe policisë
Përplasja mes policisë dhe Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, po vjen duke u thelluar.
Padia penale e ngritur nga policia me akuzën ndaj Dobjanit, se ka penguar hetimet për një ngjarje të rëndë në Shkodër, ka ngritur tonet në të dy palët. Dojani është hedhur në sulm menjëherë duke përgatitur si sfond mbrojtës ndërkombëtarët. Qëllimi i tij ka qenë që të tregojë se Policia e Shtetit po e ndërmerr një veprim të tillë, për shkak se ai ka denoncuar rastet e dhunës në polici ndaj të ndaluarve. Më i fundit dhe më nga ekstremët ishte ai i Sarandës, ku një i ndaluar u dërgua në gjykatë në gjendje të rëndë, pasi ishte torturuar nga policia.
Fillimisht në betejë Dobjani ka përfshirë “Amnesty International”.
Organizata e njohur e të drejtave të njeriut “Amnesty International” ka reaguar pas denoncimit në Shqipëri nga ana e Avokatit të Popullit të disa rasteve të keqtrajtimeve në komisariatet e policisë. “Amnesty” gjithashtu është shprehur e shqetësuar pas kallëzimit penal që Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka bërë ndaj Avokatit të Popullit, Dobjani, me pretendimin se ka prishur hetimet rreth një ngjarjeje gjatë një kontrolli të befasishëm në mjediset e saj.
Më pas në betejë është përfshirë edhe politika. Partia më e madhe e opozitës, PS, ka reaguar me anë të një deklarate në lidhje me dhunën policore.
“Por kulmi i arbitraritetit policor arrin në rastin kur Avokati i Popullit, pas denoncimit të dhunës së ushtruar nga oficerët e policisë mbi një të ri 20-vjeçar, përballet me padinë e policisë së qarkut të Shkodrës. Ky rast i paprecedent në praktikën e deritanishme të marrëdhënieve mes institucionit të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit, për Partinë Socialiste shërben si argument për një alarm dhe apel drejtuar qeverisë”, - thuhet në deklaratën e PS. Edhe në Kuvend janë bërë debate në lidhje me këtë çështje.
Policia ka reaguar pas kësaj situate me një deklaratë, që prej Dobjanit është cilësuar si e pamjaftueshme, pa përmendur aspak padinë ndaj tij.
“Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin e saj ndaj përdorimit politik nga ana e Partisë Socialiste të rasteve të izoluara për të denigruar imazhin pozitiv të Policisë së Shtetit dhe frenuar angazhimin e saj profesional në goditjen ligjore të krimit dhe trafikantëve. Vetëm gjatë tre viteve të fundit Policia e Shtetit ka arritur të zbulojë dhe vërë para ligjit autorët e 949 ngjarjeve të vjetra të ndodhura gjatë qeverisjes socialiste dhe me autorë “të larguar në drejtim të paditur”, - thuhet në reagimin e policisë.
Duke parë këtë situatë, Dobjani ka dalë dje publikisht me ambasadorin e OSBE, Robert Bosch, i cili ka shprehur mbështetjen e tij ndaj institucionit të Avokatit të Popullit.
Duke folur për padinë penale të bërë nga policia në adresë të Avokatit të Popullit për një rast inspektimi nga ky institucion në policinë e Shkodrës, Bosch tha se “e vlerësojmë punën e policisë, por herëpashere bëhen gabime dhe ajo duhet kontrolluar. Shqipëria tashmë i ka këto mekanizma, sikundër është Avokati i Popullit”.
Nga ana e tij, Dobjani shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm me strukturat e Policisë së Shtetit, duke kërkuar njëkohësisht edhe shprehjen e qëndrimit të qartë prej tyre lidhur me kallëzimin penal që Policia e Shkodrës ka depozituar në Prokurori kundër Avokatit të Popullit.
Policia ka reaguar pas qëndrimit të Dobjanit, duke sqaruar se pse është ngritur padia ndaj tij.
“Lidhur me një ngjarje të rëndë kriminale, të ndodhur gjatë viti 1997, prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër mbi bazën e referimit të policisë Shkodër, ka vendosur rifillimin e hetimeve dhe iu ka deleguar autoritetin ligjor oficerëve të policisë pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër për kryerjen e veprimeve hetimore, si pyetjen e personave konkretë, të cilët kishin dijeni për rrethana të ngjarjes.
Gjatë marrjes së deklarimeve, në zyrat ku po zhvillohej hetimi ka hyrë Avokati i Popullit, i cili, pavarësisht se ka konstatuar se askush nuk po pyetej në kundërshtim me rregullat e marrjes së dëshmisë, ka ndërhyrë arbitrarisht, duke ndërprerë procesin e hetimit dhe duke marrë në pyetje oficerët e policisë gjyqësore, dëshmitarët e ftuar për t’u pyetur etj.
Pas inspektimit, në një komunikim me mediat, Avokati i Popullit ka dhënë publikisht të dhëna mbi karakteristikat e dëshmitarëve, çka sipas Policisë së Shtetit, bie në kundërshtim të plotë me nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale “Detyrimi për ruajtjen e sekretit hetimor”. Pas kësaj mediat kanë publikuar edhe inicialet e dëshmitarëve.
Theksojmë se gjithçka ka ndodhur, pasi Avokati i Popullit ishte informuar mbi statusin dhe çështjen konkrete, për të cilën ata ishin thirrur”, - thuhet në deklaratën e policisë.