E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici speciale për të hetuar administratën

Forca e re do të pajiset me armë dhe do të mbikëqyr vetë tatimorët që dyshohet se kanë kryer korrupsion



TIRANË- Të gjithë punonjësit administratës tatimore gjatë ushtrimit të detyrës do të jenë nën mbikëqyrjen e një organi të posaçëm të quajtur "Drejtoria e Investigimit të Brendshëm" i cili qëllim parësor do të ketë parandalimin e korrupsionit në këto organe. E ngjashme me strukturën e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) që prej disa vitesh mbikëqyr forcat e policisë, ky organ do të hetojë çdo rast të dyshimtë që do të paraqitet për secilin punonjës tatimor përfshirë edhe ata të administratës qendrore.
Në bazë të ndryshimeve të bëra, Punonjësit e Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.

Drejtoria e Investigimit të Brendshëm ose quajtur ndryshe "Antikorrupsioni" dhe njësitë e hetimit tatimor do të kenë mision parësor, parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprimeve të administratës tatimore, të cilat mund të përbëjnë vepra penale si dhe mbledhjen e informacionit nga burime të ndryshme, për veprimtaritë e punonjësve të administratës tatimore qendrore, të cilat gjithashtu cilësohen si vepër penale.
Gjatë ushtrimit të detyrës, punonjësit e kësaj drejtorie do të bashkërendojnë punën e tyre me organet e prokurorisë në rolin e një hallke ndërmjetëse për vazhdimin e plotë të hetimit për rastet të cilat do të konsiderohen të dyshimta.

Krahas prokurorisë, "Antikorrupsioni" do të shërbejë si pikë kontakti edhe me organe të tjera shtetërore të cilat gjithashtu mision të tyre kanë luftën kundër korrupsionit.
Krahas, kësaj njësoj si punonjësit e policisë së rendit edhe Punonjësit e Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm dhe ata të njësive të hetimit tatimor, që ushtrojnë funksionet e parandalimit, të zbulimit, ndjekjes dhe hetimit të plotë të veprave korruptive, do të pajisen me armë zjarri por duke marrë paraprakisht një autorizim nga ministria e Financave.

Pritet të struktura në fjalë të organizohet në fillim të vitit të ardhshëm kur do të kenë hyrë në fuqi edhe ndryshimet e bëra së fundmi nga Këshilli i Ministrave në ligjin "Për procedurat tatimore".
Ndërhyrjet e bëra së fundmi në ligj mund të cilësohen si nga më radikalet pasi në to përfshihen një serë sanksionesh ndaj bizneseve të cilat i shmangen shlyerjes së detyrimeve. Me ndryshimet e bëra së fundmi por edhe me ngritjen e nivelit të akcizave për pijet alkoolike dhe duhanin qeveria ka ndërhyrë fort në sistemin fiskal pas një viti elektoral i cili u karakterizua nga shpenzime të mëdha por edhe nga mungesa të ardhurash për shkak të presionit të krizës ekonomike.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›