E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kush përgjigjet për zgjedhjet?

06/05/2005  Pas shumë debatesh, konfliktesh, negociatash, kompromisesh dhe përmirësimesh të kodit elektoral, akoma nuk ka marrë përgjigje një nga pyetjet themelore për një proces zgjedhor: kush përgjigjet për zgjedhjet? Deri tani, përgjigjet që janë dhënë kanë qenë në rastin më të mirë elusive dhe krejtësisht të pavlefshme në rastin më të keq. Shumica e faktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet i shikojnë si përgjegjësi e të gjithë politikanëve në përgjithësi dhe e dy partivë më të mëdha politike në veçanti. Ndonëse të tilla këndvështrime nuk janë tërësisht të pavërteta, ato janë mjaft problematike, pasi kur përgjegjësia kërkohet te të gjithë, atëherë atë nuk e merr përsipër askush. Për sa kohë nuk përcaktohen qartë përgjegjësitë konkrete për procesin zgjedhor përpara se të mbahen zgjedhjet është shumë e vështirë që të kërkosh llogari pasi zhgjedhjet janë bërë. Në mungesë të kërkesës së llogarisë, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Këtu qëndron edhe një nga handikapet më të mëdha të procesit zgjedhor në Shqipëri. I gjithë sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që përgjegjësitë të kolektivizohen dhe jo individualizohen, të humbasin dhe jo të identifikohen. Kështu, ndryshe nga shumë vende të tjera me demokraci të konsoliduar, ku zgjedhjet organizohen nga Qeveria, dhe në mënyrë më specifike nga Ministritë e Brendshme, në Shqipëri procesi i organizimit të zgjedhje është aq gjithëpërfshirës dhe kompleks saqë bëhet jo vetëm problematik në zbatim, por e vështirëson gjithnjë e më shumë mundësinë për identifikimin e përgjegjësisë, pa të cilën nuk ka llogaridhënie. Në fakt, në një këndvështrim historik organizmi i zgjedhjeve në Shqipëri është zhvilluar duke përfshirë gjithnjë e më shumë aktorë, duke e zvogëluar gjithnjë e më tepër rolin e Qeverisë në favor të partive politike dhe faktorit ndërkombëtar. Të paktën kështu ka ndodhur në dukje.

Një zhvillim i tillë ka qenë i domosdoshëm, pasi që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 deri tani vullneti i Qeverive të ndryshme për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme ka qenë inekzistent, çka i ka bërë ato krejtësisht të pabesueshme për të menaxhuar procesin zgjedhor. Rrjedhimisht, në organizimin e procesit janë përfshirë gjithnjë e më tepër partitë politike dhe komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që procesi të organizohej në mënyrë sa më konsensuale, duke reduktuar kështu mundësinë për kontestim të rezultateve. Ndonëse në pamje të parë një proces i tillë duket pozitiv dhe i pashmangshëm, ai riprodhon handikapin kryesor jo vetëm të zgjedhjeve, por edhe të procesit të qeverisjes shqiptare në përgjithësi; mungesën e përgjegjshmërisë. Në fakt ka qenë pikërisht papërgjegjshmëria e forcës politike në pushtet, ose thënë ndryshe, mungesa e vullnetit të saj politik për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme që i ka kompromentuar proceset elektorale. Në kushtet e përgjegjësisë kolektive, si pasojë e përfshirjes së shumë aktorëve në formësimin e procesit zgjedhor, papërgjegjshmëria dhe mungesa e vullnetit politik e partisë në pushtet për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk reduktohet, por rritet, pasi tashmë ajo mund të fshihet pas përgjegjësive kolektive të tipit “të gjitha partitë janë përgjegjëse për zgjedhjet”. Ndonëse në realitet përgjegjësinë më të madhe e ka forca politike në pushtet, për vetë faktin se është në pushtet.

Në thelb të problematikës së proceseve zgjedhore në Shqipëri ka qenë mungesa e vullnetit të forcës politike në pushtet për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në pamundësi për t’u përballur me këtë problem themelor, procesi elektoral është ndërtuar gjithnjë e më tepër, duke e marrë si të qenë mungesën e vullnetit politik për të mos zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe duke u përpjekur të ngrejë një sistem, i cili synon ta minimizojë efektin e mungesës së këtij vullneti, duke përfshirë në proces gjithnjë e më shumë aktorë, në fillim opozitën dhe më pas gjithnjë e më tepër faktorin ndërkombëtar. Diçka e tillë ka bërë që të anashkalohet gjithnjë e më tepër thelbi i problemit, mungesa e vullnetit të forcës në pushtet për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke u përqëndruar gjithnjë e më tepër në teknikalitetet e procesit. Natyrshëm kjo nuk ka prodhuar më shumë vullnet politik për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, përkundrazi ka prodhuar hapësirën e nevojshme, ku mungesa e këtij vullneti mund të fshihej apo të humbiste, pas teknikaliteteve dhe kompleksitetit të procesit. Si pasojë, jo rrallë ka ndodhur edhe zhvendosja e problematikës nga mungesa e vullnetit politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme te kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve. Gjithnjë e më tepër problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është gjetur te kontestimi që i është bërë atyre nga opozita, pavarësisht nga një sërë të dhënash faktike që tregonin se zgjedhjet nuk kishin qenë të lira dhe të ndershme.

Në këtë mënyrë, procesi zgjedhor në Shqipëri ka krijuar një rreth vicioz, ku sa më shumë mungon vullneti i forcës politike në pushtet për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, aq më shumë në organizimin e zgjedhjeve përfshihen gjithnjë e më tepër aktorë, dhe aq më shumë procesi komplikohet, çka e bën gjithnjë e më të vështirë identifikimin e përgjegjësisë dhe kërkesën e llogarisë ndaj forcës politike në pushtet, pa të cilën nuk mund të prodhohet vullneti politik për zgjedhje demokratike. Po kështu edhe presioni ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme bëhet gjithnjë e më jo efikas, pasi ai i drejtohet të gjithë ‘organizatorëve’ zgjedhjeve në përgjithësi, qeverisë, pozitës, dhe opozitës, por pa ia veshur përgjegjësinë për mbarëvajtjen e procesit asnjërit në veçanti, ose të paktën pa e ndarë këtë përgjegjësi sipas pozicionit të secilit aktor në raport me procesin. Pikërisht për këtë arsye zgjedhjet në Shqipëri akoma nuk janë të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›