Ushtari i Gardës vetekzekutohet me tre plumba
Tiranë – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Repartin e Gardës së Republikës në Mullet, ku një ushtar është gjendur i vdekur me tre plumba në kokë. “Rreth orës 21.00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u njoftuan se në Repartin e Gardës së Republikës në Mullet është vetëvrarë me armë zjarri shtetasi Gëzim Reshit Adri, 19 vjeç, lindur në fshatin Podgorie Korçë dhe me shërbim ushtarak pranë këtij reparti. Menjëherë, në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore për të hetuar këtë ngjarje. “Nga kryerja e veprimeve hetimore e procedurale, si dhe nga deklarimet e marra, rezultoi se viktima kishte rreth 5 muaj që shërbente në këtë repart dhe pas marrjes së shërbimit të turnit në orën 21.00, në vendroje, me armën e shërbimit ka vrarë veten duke qëlluar në kokë me tre plumba”, - shkruante dje njoftimi zyrtar i policisë, ndërsa oficerët e policisë gjithë ditën e djeshme kanë marrë informacion për gjendjen psikike, por dhe për marrëdhëniet e viktimës me persona të tjerë në repart, duke mos nënvleftësuar dhe ndonjë pistë tjetër përveç asaj të vetëvrasjes. Sipas njoftimit të djeshëm zyrtar, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma tip automatik mod. 56, si dhe tri gëzhoja. Materialet hetimore për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në pranga i dyshuari për vjedhjen e dyqaneve
Tiranë - Specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe të Kërkimit kryen kapjen e shtetasit Roland Bujar Berisha, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për veprën penale të Vjedhjes. I arrestuari mendohet se është autor i një sërë vjedhjesh të bëra në Tiranë, në disa lagje të ndryshme, të cilat kryesisht konsistonin në grabitjen e magazinave dhe dyqaneve. Roland Berisha dyshohet se i ka kryer këto vepra në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, të cilët gjithashtu janë ndaluar pak kohë më parë nga policia, ndërsa për Berishën u shpall urdhër-arresti, pasi policia nuk mundi ta gjente atë në momentin e aksionit të organizuar.
Plagosi me armë, në pranga 23-vjeçari
Tiranë - Forcat policore të Komisariatit të Policisë Nr. 6 mundësuan kapjen e personit të shpallur në kërkim Dajlan Murat Kovaçi, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Vorë. Kapja e tij u krye pasi Prokuroria ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 19.09.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka dënuar me 3 muaj burg për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, e parashikuar nga Neni 89 i Kodit Penal. Që prej një muaji, i dyshuari kishte mundur t’i shpëtonte ndjekjes së policisë, ndërsa ditët e fundit ai kishte shpeshtuar ekspozimin në lagjen ku banonte. Kaq është dashur dhe policia e ka lokalizuar dhe e ka prangosur. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë.
14 Nentor 2008