E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Privatizimi i albtelekomit është skandal i rradhës

08/05/2005  Nuk kthehemi mbrapsht në PS

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e ka cilësuar skandal të radhës privatizimin e Albtelekomit, dy ditë më parë, nga qeveria shqiptare. Sipas Metës, “LSI-ja nuk ndan asnjë përgjegjësi, me këta pushtetarë, që keqqeverisin vendin dhe abuzojnë me pasuritë publike. Shikoni skandalin e radhës në fushën e privatizimeve, siç është prokurimi i drejtpërdrejtë që qeveria kërkon të bëjë për Albtelekomin. Manipulimi i tenderave kaq të rëndësishëm ndërkombëtar, për fatin e kompanive publike dhe shërbimeve jetike, nuk është rasti i parë, por është ndoshta nga më të dëmshmit“. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në rrethin e Librazhdit, Meta ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi kthimi prapa në Partinë Socialiste. Duke e cilësuar ftesën e kryesocialistit Fatos Nano, si “diversion“, që bëhet në një kohë kur LSI-ja nuk mund të cilësohet më si një fraksion i PS-së. Sipas tij, “LSI-ja është projekt afatgjatë për dekadat e ardhshme, ndaj nuk e mbaron misionin e saj më 3 korrik, por e rinis pas këtyre zgjedhjeve. LSI-ja është një parti krejtësisht e re, me një vizion dhe moral të ri, nuk është dhe as ka për të qenë ndonjëherë fraksion i PS-së, ndaj nuk ka asnjë detyrim ndaj forcës politike në pushtet“, tha Meta. Për Librazhdin, kandidatët e LSI-së për deputetë, janë inxhinieri Mehmet Biçaku dhe mjeku kirurg Bujar Kllogjri, në zonën e Prrenjasit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›