Kushtet e sigurisë, BSH-ja nxjerr një platformë të re për mbrojtjen e sporteleve në bankat private
Ervin Koçi
Bankat private, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, vitin e ardhshëm përveç sigurimit të kapitaleve të tyre duhet të investojnë dhe në sistemin e sigurisë. Kjo gjë nënkupton një marrje masash nga të gjitha bankat private dhe degët e tyre në rrethe për përmirësimin e kushteve teknike të sigurisë gjatë punës në sportelet e tyre. Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re që synon forcimin e masave për rritjen e kushteve të sigurisë në mjediset ku kryhet veprimtaria bankare. Në mbledhjen e fundit të Këshilli Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare”. Sipas BSH-së, kjo rregullore u hartua në mbështetje dhe zbatim të Ligjit Nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zëvendëson udhëzimin “Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve të punës të subjekteve që licencohen nga Banka e Shqipërisë”. Rregullorja në fjalë përcakton në mënyrë të hollësishme kushtet teknike dhe të sigurisë në zonën e sportelit dhe për administrimin e vlerave monetare, kërkesat për mbrojtjen me personel të posaçëm të ambienteve dhe kërkesat për transportin dhe shoqërimin e vlerave monetare fizike, bazuar në ligjin “Për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”. Rregullorja e re, përcakton disa kërkesa të reja shtesë për kushtet teknike dhe të sigurisë për zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka.
Platforma
Zhvillimet në ekonominë e vendit, ecuria e treguesve monetarë dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, si dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme, janë disa nga pikat e dokumentit të Politikës Monetare 2009-2011.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi në mbledhjen e fundit të tij këtë dokument strategjik, si një dokument bazë për mbarëvajtjen e sistemit bankar në vendin tonë. Për vitin 2008, në raport me analizat paraardhëse, BSH-ja konstaton një zhvendosje graduale të faktorëve të rrezikut në kahun rënës. Në muajt në vijim, BSH-ja do të analizojë me vëmendje informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre mbi projeksionet për inflacionin dhe për treguesit e tjerë makroekonomikë, duke përshtatur në vazhdimësi politikën e saj monetare.
Deflacioni
Çmimet e mallrave të konsumit mund të futen në një spirale rënëse gjatë vitit 2009. BSH-ja ka paralajmëruar për një ulje të mundshme të interesave për monedhën vendase, lekun. BSH-ja mbetet e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3 për qind në një periudhë afatmesme. Situata aktuale e ekonomisë botërore dhe e asaj shqiptare paraqitet disi më komplekse, kur të gjithë po përballen me një rënie të çmimeve. Një ulje e tillë drastike e çmimeve mbetet po aq e rrezikshme se një rritje e tyre, madje në përmasa deflacioni mund të shkaktojë falimentime dhe papunësi më të madhe se një inflacion njëshifror. BSH-ja ka si objektiv të poshtëm të sajin për inflacionin nivelin 2 për qind, ndërsa mbetet si nivel i shënjestruar niveli prej 3 për qindësh në vit.
BSH: “Kredidhënia gjatë këtij viti është tkurur”
BSH-ja bën të ditur se sektori bankar ka vazhduar të mbështesë ekonominë me kredi gjatë muajit tetor të vitit 2008, por duke shënuar një ngadalësim të ritmit të rritjes. Kredidhënia nga sistemi bankar vazhdon të mbështesë më së shumti bizneset, të cilët kontribuojnë me 66 për qind të zgjerimit të stokut. Individët mbeten ende një nga tregjet me potencial të madh për bankat e nivelit të dytë.
28 Dhjetor 2008