Prokuroria dërgon për gjykim dosjen e “Kredive”
Prokuroria e Tiranës regjistroi për shqyrtim në gjykatë çështjen penale ndaj katër
personave që akuzohen për mashtrim me kreditë, bënë të ditur të shtunën burime zyrtare nga gjykata. Të pandehur në këtë çështje janë: Rexhep Zhegu, Agim Xhika, Agim Karamuça dhe Edmond Gjilani, të cilët akuzohen se kanë tërhequr me dhjetëra kredi bankare nga disa banka në Tiranë, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Tre nga të akuzuarit janë arrestuar pak kohë më parë nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, ndërkohë që një tjetër është në kërkim, ndaj dhe do të procedohet në mungesë. Të pandehurit janë hetuar për disa muaj nga Prokuroria e Tiranës, e cila në përfundim të procedimit pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme që provojnë akuzat e ngritura ndaj tyre në procesin gjyqësor, i cili do të nisë së shpejti në Gjykatën e Tiranës.
Gjykata, 9 persona janë dënuar për trafik armësh në bashkëpunim
Nëntë persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar gjatë këtij viti nga Gjykata e Krimeve të Rënda për krimin e "trafikut të armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim". Nga këta, katër persona janë dënuar me masa dënimi që variojnë nga 2 deri në 5 vjet burg, ndërsa pjesa tjetër me burgim nga 5 deri në 10 vjet, sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjatë vitit 2008 kjo gjykatë ka marrë në shqyrtim gjithsej 135 çështje për një sërë krimesh si trafiqet ilegale, ai i drogës, i femrave për qëllime prostitucioni deri te pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, vrasje, vjedhje me dhunë etj. Gjykata e Krimeve të Rënda është shprehur përfundimisht për 65 nga këto çështje, ku autorët e tyre kanë marrë dënime për krimet që akuzohen se kanë kryer.
28 Dhjetor 2008