E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohen nënë e bir në shtëpi, dyshohet për larje hesapesh nga grupe rivale

Flutura dhe Elton Deliu janë qëlluar me pistoletë brenda në banesë. Elton Deliu njihet si një person me probleme të shumta dhe i skeduar herët nga policia

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur pasditen e djeshme në mes të Tiranës, në afërsi të Presidencës. Flutura dhe Elton Deliu janë qëlluar në shtëpinë e tyre me pistoletë. Ngjarja e rëndë, që ndodhi rreth orës 15:00 në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, afër Gardës së Republikës, i ka marrë jetën një gruaje dhe djalit të saj 32-vjeçar, i cili ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Burime policore dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes treguan se ngjarja ndodhi në rrugën që të çon te Garda, afër Fakultetit Juridik, te një pallat afër ish-pub “Moulino”, sot një pikë lotarish sportive. Sipas tyre, në katin e pestë të pallatit, në banesën e familjes Deliu, u gjet e vdekur Flutura Deliu, 53 vjeçe, dhe i plagosur në gjendje koma djali i saj 32-vjeçar, Elton Deliu. Mësohet se gruaja në moshë të thyer është gjetur e vdekur në shtratin e dhomës së saj, kurse në dhomën tjetër, djali, me plagë të rënda në trup. Ai u dërgua për në spital, por gjatë rrugës ndërroi jetë për shkak të plagëve fatale. Nga hetimet paraprake dyshohet se një person i vetëm ka hipur në katin e pestë të pallatit dhe ka hyrë në banesën e familjes Deliu, ku dhe ka hapur zjarr me një armë të llojit pistoletë dhe më tej është zhdukur me shpejtësi për t’i shpëtuar ndjekjes së mundshme policore. Por zyrtarisht policia tha se po heton dy pista për ngjarjen, jo vetëm atë të një atentati për hakmarrje të mundshme, por dhe mundësinë e krimit në familje. Nga të dhënat policore del se Elton Deliu njihej në zonë me emrin “Kuqi”, i identifikuar nga policia si i dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike.
Dyshimet
Policia bën të ditur se Elton Deliu ishte një person me precedent të rëndë kriminal dhe vrasja e dyfishtë mendohet të ketë ndodhur për larje hesapesh. Mësohet se 32-vjeçari, pasi ka debatuar me ekzekutorët, është qëlluar 11 herë më armë nga ana e tyre, 6 herë në trup dhe 5 herë në kokë. Më pas vrasësit nuk kanë kursyer plumbat edhe për nënën e tij, e cila ka mbetur e vdekur në vend. Ndërsa Deliu është transportuar me urgjencë për në spital, por ai fatkeqësisht ka humbur jetën rrugës. Në vendin e ngjarjes janë grumbulluar forca të shumta policie dhe janë shoqëruar për t’u pyetur në polici të gjithë dëshmitarët. Nënë e bir banonin në katin e pestë të një pallati pas Presidencës. Policia, sipas të dhënave të dëshmitarëve, ka arritur të nxjerrë të dyshuarit e parë të kësaj vrasjeje të dyfishtë, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi të mëtejshëm.
E kaluara
Tri vite më parë, në vitin 2006, Deliu ka qenë shënjestra e një atentati këtu në Tiranë. Një vit më vonë dy atentatorët e tij u arrestuan. Qershorin e vitit 2005, katër personat, tashmë të arrestuar, i kishin përgatitur një atentat Deliut, i cili më parë kishte qenë miku i tyre. Bandat janë përleshur me armë zjarri, teksa Deliu lëvizte me një mjet tip “BMW”, ngjyrë të zezë, e u ndoq nga dy makina, njëra “Benz Slloun” me targa DR 2572 C, e një tjetër “Benz” me targa TR 0072 J, ngjyrë jeshile. Automjetet janë përballur në rrugën “Ramazan Shijaku”, në afërsi të Rrugës së Barrikadave, ku dhe qëlluan me armë zjarri. Spahillari e Cali, duke u ndihmuar edhe nga Kodra e Bakalli, kanë gjuajtur në drejtim të Deliut për ta ekzekutuar. Ky i fundit u është kundërpërgjigjur kundërshtarëve të tij me të njëjtën mënyrë, e më pas përplasi mjetin e tij në një mur dhe pasi e kapërceu atë, u largua në këmbë. Spahillarin dhe Calin i prangosën dy ditë më vonë, ndërsa policia shpalli në kërkim Kodrën e Bakallin. Burimet zyrtare të policisë thanë asokohe se dy të arrestuarit dyshohet se do ta vrisnin Elton Deliun pas prishjes së pazareve të shitjes së lëndëve narkotike. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me forcat e repartit RENEA, arrestoi në vitin 2006 25-vjeçarin Kildi Besnik Kodra dhe 26-vjeçarin Erald Bakalli, të dy lindur e banues në Tiranë. Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 27 qershor të vitit 2005, kishte lëshuar një urdhër-arresti për ta, sepse kanë tentuar të vrasin me armë zjarri të riun Elton Deliu. Në një banesë në fshatin Qerret, Kodrës dhe Bakallit iu gjetën dy armë gjahu dhe 30 gramë lëndë narkotike e tipit hashash.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›