Policia arreston tetë persona për vjedhje
Tetë persona, të dyshuar për veprën penale të “vjedhjes”, u arrestuan në kushtet e flagrancës, gjatë ditës së djeshme nga shërbimet e Policisë të Tiranës. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bënë të ditur të shtunën për gazetën se gjatë ditës së djeshme u arrestuan shtetasit Shaban Miftari, 38 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Paskuqan, Erlis Nikolli, 18 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë, Sh.M., 16 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen të kenë kryer disa vjedhje në Tiranë, ndërkohë që u la në gjendje të lirë 45-vjeçari B. L., lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Po gjatë ditës së djeshme u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit Mondi Suka, 30 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Paskuqan, Dardan Hazizi, 21 vjeç, lindur në Milot dhe banues në Tiranë dhe Dorian Idrizi, 20 vjeç. Arrestimi i tyre u bë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së ditës së premte, në Rrugën e Dibrës, pranë Medresesë, teksa tentonin të vidhnin mallin që transportonin dy shtetas kinezë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat e vjedhura si dhe automjeti tip "Golf", me targë LA 1760 A, me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme. Gjithashtu, po dje u arrestua edhe 22-vjeçari Viktor Vezi, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale të “vjedhjes”.
Polici i dehur plagos rëndë fqinjin
KURBIN - Një efektiv policie në Kurbin është arrestuar nga kolegët e tij, pasi dyshohet se ka lënë të plagosur dje, në orët e para të mëngjesit, një banor të fshatit ku ata jetojnë.
Burimet zyrtare të policisë informojnë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Fushë Milot të rrethit Kurbin. Sipas tyre, Altin Kola, punonjës i policisë në sektorin e ruajtjes së rendit të Komisariatit të Kurbinit, ka qenë duke pirë gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë me bashkëfshatarin e tij. Ndërsa e kanë tepruar në pije, deri në orët e para të ditës së djeshme, kur kanë dalë nga kafeneja e fshatit ishin në gjendje të dehur. Në një moment gjaknxehtësie dhe humbje kontrolli, Kola ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka hapur zjarr ndaj fqinjit. Ky i fundit, për shkak të plagëve serioze që mori në trup, u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët thanë se gjendja e tij është kritike. Policia tha se arrestoi kolegun Kola dhe po heton për akuzën kryesore të shpërdorimit të detyrës përmes përdorimit të paligjshëm të armës së zjarrit.
28 Dhjetor 2008