E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka fonde për të internuarit

 

BLEDAR HOTI

Mos nxjerrja e akteve ligjore sjell mos dëmshpërblimin menjëhershëm të atyre persona që janë internuar gjatë sistemit të komunizmit. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani gjatë raportimit të tij në komisionin parlamentar të Ligjeve ka bërë të ditur se për mungesë të akteve ligjore nuk është parashikuar dëmshpërblimi për këtë kategori personash. “Besoj se me t’u mbyllur nga pikëpamja procedurale ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me ministrinë e Financave dhe nga ministria e Financave na është garantuar se në  momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim padyshim do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre”, iu përgjigj Nishani pyetjes së bërë nga kryekomisioneri Rusmali në lidhje me këtë çështje. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi kërkoi të dinte më konkretisht se si do të realizohej ky proces i tillë. “E theksova dhe pak më parë, e rëndësishme është të dalë kuadri ligjor se pa dalë ai nuk mund të ketë planifikime për sa i takon çështjes së buxhetit. Aq më tepër që pjesa e planifikimit të buxhetit vjen nga ministria e Financës mbi  kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete. Unë besoj që me këtë buxhet ose duke pasur parasysh eksperiencën e vitit 2009, ne patëm përmes një rialokimi, po i referohem kompensimit financiar të pronarëve, në 2009 ishin  parashikuar 600 milion lekë, përmes rialokimit që qeveria bëri në mesin e vitit u arrit që kjo shumë të dyfishohej, nga 600 milion lekë vajti në 1.2 miliardë lekë. Brenda vitit do të plotësohen aktet ligjore”, theksoi Nishani.
Zbatimi i ligjit
Ministri bëri një ekspoze të punës së ministrisë në lidhje me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve proces, i cili duhet të përfundojë brenda 8 viteve, sipas ligjit të miratuar. “Deri tani janë mbi 1500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie. Aktualisht, është në përfundim një vendim tjetër qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e dorëzimit të kërkesave, plotësimit të dosjeve sipas kërkesave që parashikon ligji. Brenda këtij viti do tentojmë të realizojmë 1000 mijë kërkesa të tjera dhe për sa kohë buxheti është parashikuar për këtë ecje, për këtë plan kalendar që ne e kemi shtrirë përgjatë tetë viteve absolutisht që kemi besimin e plotë”, tha Nishani. Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë me financimin apo mos financimin e buxhetit, pasi ai buxhet është tërësisht në dispozicion. “Çështja është tërësisht procedurale, është tërësisht teknike dhe lidhet thjesht me verifikimin e atyre kërkesave që ligji kërkon të verifikohen para se të shkojë të bëhet valide në ministrinë e Financave dhe pastaj kalimi dhe transferta e pjesës financiare”, theksoi Nishani. Ndërsa në lidhje me fondet e kompensimit e ish-pronarëve, ministri theksoi se “për vitin 2010 në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2009 kemi një rritje prej 17 %”. “Nga negocimet me Ministrinë e Financave është arritur në konkluzionin se ky fond do të rritet gjatë vitit 2010, sikundër u realizua edhe gjatë vitit 2009”, theksoi ministri që ka në varësi AKKP-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›