Krim misterioz në Peqin, një i vdekur, një i plagosur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje pasdite qytetin e Peqinit. Një 40–vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri, ndërkohë që një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur nga e njëjta armë. Rrethanat e ngjarjes kanë mbetur misterioze dhe ende nuk është sqaruar skena e krimit.
Fillimisht u përfol se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 në qytetin e Peqinit, kur 42-vjeçari Sami Hasa ka vrarë me pistoletë 40-vjeçarin Erion Daja. Sipas së njëjtës hipotezë, që është mbështetur fillimisht nga policia, në momentin që Hasa ka gjuajtur për vdekje Dajën me pistoletë të tipit “TT”, aty është ndodhur policia e qytetit, e cila ka qenë e gatshme për të arrestuar në flagrancë autorin e krimit. Ky i fundit, duke parë se nuk kishte asnjë mundësi për t’iu larguar rrethimit të uniformave blu, ka gjuajtur veten e tij me të njëjtën armë që vrau 40-vjeçarin, duke mbetur i plagosur rëndë.
Po ky variant i ngjarjes nuk është konfirmuar plotësisht. Policia, deri në orët e vona të mbrëmjes ka mbështetur ngjarjen në dy versione, sido që njëri jo shumë bindës. I kontaktuar me telefon, kreu i policisë së Qarkut të Elbasanit ka pohuar për “Shqip” se krahas krimit që ka kryer Hasa në vrasjen e Dajës, është hedhur një pistë, sipas së cilës supozohet që Daja të jetë vetëvrarë si shkak i konflikteve të forta që ka pasur me 42-vjeçarin Hasa dhe më pas ky i fundit ka kryer vetëplagosjen. “është ende herët të konkludojmë për këtë ngjarje dhe ne jemi zhvendosur këtu ku ka ndodhur krimi. Fatmirësisht, i vetëplagosuri është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak. Përmirësimi i kushteve të tij do të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes”, ka deklaruar Muça. Ndërkaq, i pyetur për etiketimin e Dajës si person me precedentë penalë, zyrtarisht nuk është pranuar një gjë e tillë nga policia e Elbasanit.
#