"Kushtetuesja", dekretet e Topit shqyrtohen sot në Kuvend

Mazhoranca vendosi mbrëmë që të fusë urgjentisht për diskutim kandidaturat e Topit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
TIRANË - Mazhoranca vendos të mos humbasë kohë për dekretet e Kreut të Shtetit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa i gjithë opinioni publik dhe ai politik vendas dhe ndërkombëtar është përqendruar tek debati për grevën e urisë të socialistëve për transparencën e zgjedhjeve, shumica qeverisëse ka vendosur të përfitojë nga situata dhe të zhvendos vëmendjen tek çështja e tre dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Ligjeve ka vendosur që të marrë me urgjencë sot në seancë dëgjimore tre emrat e propozuara prej Topit për tre vendet vakante të institucionit më të lartë në hierarkinë e sistemit të drejtësisë në vend, Gjykatën Kushtetuese.
Seanca
Dekretet e Kreut të Shtetit me emrat e Bashkim Dedes, Altina Xhoxhajt dhe Vangjel Kostës menjëherë sapo janë protokolluar në Kuvend, ashtu siç edhe përcakton Rregullorja i kanë kaluar për shqyrtim të menjëhershëm Komisionit të Ligjeve.
Megjithëse fillimisht u mendua që shqyrtimi i tyre të bëhej në një kohë më të vonë, dje në orët e pasdites deputetët e këtij komisioni janë lajmëruar për një mbledhje urgjente sot në orën 09:00, objekt i së cilës do të jetë zhvillimi i një seance dëgjimore me tre gjyqtarët e dekretuar prej Topit.
Megjithëse arsyet e vërteta të këtij nguti duken qartë që lidhen me situatën e vështirë politike që ka krijuar greva e urisë në vend, burime pranë Kuvendit e kanë justifikuar atë me situatën e vështirë në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese për shkak të mbarimit të mandatit të tre gjyqtarëve aktual të saj.
Sipas Rregullores së Kuvendit, Komisioni i Ligjeve shqyrton fillimisht përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidati, përmes CV-ve të tyre dhe më pas zhvillon me ta seancë dëgjimore.
Në rastet kur kandidaturat nuk plotësojnë kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni nëpërmjet raportit të tij i kërkon kryetares së Kuvendit të njoftojë institucionin propozues, në rastin konkret të Presidentit për mospërmbushjen e këtyre kritereve.
Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i mazhorancës, megjithatë burime paraprake konfirmuan se ka pak gjasa që kandidaturat të rrëzohen, me argumentin se PD-së nuk i intereson një konflikt tjetër me Presidentin e Republikës, në kushtet kur ka një krizë të hapur politike më opozitën.
Një qëndrim i tillë u paralajmërua disa ditë më parë edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili, ndërsa nuk u shpreh qartazi për kandidaturat, vlerësoi procedurën e ndjekur nga presidenti.
Kandidaturat
Dekreti i parë i Presidentit të Republikës mban emrin e Bashkim Dedes. Prej dy vitesh, Dedja është përfshirë në listat e kandidaturave të Presidentit të Republikës, fillimisht për të drejtuar ILDKP-në e më pas për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.
Pikërisht në muajin korrik të vitit 2008, Dedja ishte një nga dy emrat e propozuar nga Topi për postin e ILDKP-së, por që nuk mundi të marrë votat e deputetëve të majtë, të cilët votuan kandidaturën tjetër rivale, Adriatik Llalla, i cili aktualisht vazhdon të drejtojë këtë inspektorat.
Ish-student i Dhjetorit, më pas gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë, Tiranë dhe prej më shumë se 10-vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës, Dedja u përzgjodh në një tjetër garë të rëndësishme, si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Por, emri i Dedes bashkë me dy gjyqtarë të tjerë u kontestuan nga partitë e për pasojë nuk mundi që të kalojë raundin final të emërimit në këtë kolegj. Emri tjetër i dekretuar nga Topi është ai i Altina Xhoxhajt. Edhe kjo e fundit nuk është e panjohur për forcat politike. Altina Xhoxhaj ishte një ndër 5 kandidaturat e Topit për në Gjykatën e Lartë.
Për këtë pozicion, në muajin qershor të vitit 2008, Xhoxhaj u rrëzua me 72 vota pro, dhe 56 kundër ashtu si edhe katër emrat e tjerë të dekretuar nga Topi me argumentin se ky i fundit nuk ishte konsultuar paraprakisht me Kuvendin. Aktualisht Xhoxhaj punon si gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë.
Ndërsa emri i tretë, është Vangjel Kosta. Ky i fundit ka qenë ish-anëtar në Gjykatën e Lartë. Prej 8 vitesh ka punuar pedagog në Shkollën e Magjistraturës, së fundi po ushtron profesionin e avokatit. Edhe Vangjel Kosta ka qenë në listën e kandidaturave për Gjykatën e Lartë në muajin korrik të vitit 2008.