E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e kuorumit, Kuvendi shkel rregulloren

Komisioni i Ligjeve kalon aktin për koncesionet, pa pasur kuorumin e duhur


TIRANË - Mungesa e opozitës në Kuvend i ka dhënë mundësi të vazhdueshme mazhorancës të shkelë sa herë të dojë Rregulloren. Pavarësisht denoncimeve të herëpashershme në media dhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare organi legjislativ vijon të mos zbatojë ligjet dhe dokumentet e tjera vetërregulluese. Një shkelje e përhershme që ndodh në jetën legjislative e konkretisht në komisione lidhet me kuorumin.


Rrallë herë krerët e komisioneve rreken të zbatojnë nenin 34 të Rregullores së Kuvendit ku përcaktohet qartë se mbledhja dhe vendimmarrja e tyre janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve.


Por, pavarësisht këtij përcaktimi, dje në këtë grackë ka rënë dhe vetë Komisioni i Ligjeve, i cili jo vetëm e ka nisur mbledhjen pa numrin e duhur të deputetëve, por në një situatë të tillë ka miratuar edhe Aktin Normativ "Për Koncesionet".


Kështu nga 14 anëtarë që duhet të ketë minimumi për të zhvilluar një mbledhje dhe për të marrë një vendim, Komisioni i Ligjeve ka kaluar aktin e mësipërm me vetëm 13 anëtarë. Në votimin e këtij akti morën pjesë vetëm deputetët Aldo Bumçi, Ylli Lama, Viktor Gumi, Mesila Doda, Fatos Hoxha, Paulina Hoti, Arenca Trashani, Genc Strazimiri, Ilir Rusmali, Dashnor Sula, Astrit Bushati, Enkelejd Alibeaj dhe Edi Paloka.


Vetëm gjatë shqyrtimit të dytë të rendit të ditës, ku dhe u shqyrtua projektligji "Për kundërvajtjet administrative" Komisioni i Ligjeve ka mundur të bëjë kuorumin e duhur, pasi në mbledhje ka marrë pjesë edhe deputeti Eduard Halimi. Ndërsa bëhet fjalë për një rast sporadik për Komisionin e Ligjeve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shumicën e komisioneve të tjera, të cilat pak merak e kanë çështjen e kuorumit.


Një problem i tillë lindi që pas vendimit të shumicës qeverisëse për të ndryshuar rregulloren, nëpërmjet të cilit mundi të marrë shumicën vendimmarrëse në komisione në raport me opozitën, por bëri të vështirë realizimin e kuorumit kur në mbledhje nuk marrin pjesë deputetët opozitar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›