Kushtetuesja heq kompetencat e hipotekës
Fatos Mahmutaj
Gjykata Kushtetuese shfuqizon kompetencat e shefit të hipotekës në regjistrimin e pronave me më shumë se një pretendues si pronarë. Vendimi u publikua ditën e djeshme dhe hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Në këtë proces, Avokati i Popullit, në cilësinë e kërkuesit, u përfaqësua nga Florina Nuni dhe Frederik Paskali. Kurse subjektet e interesuara, Kuvendi dhe Qeveria, u përfaqësuan: i pari nga Lefterije Lleshi dhe Bledar Miloti, ndërsa i dyti nga Marsida Xhaferllari. Shqyrtimi i kësaj kërkese i ndau anëtarët e Kushtetueses në votim, ku pesë prej tyre votuan pro kërkesës, ndërsa katër të tjerë, kundër. “Përparësia e regjistrimit të pronave përcaktohet në varësi nga radha e paraqitjes në mënyrë të përshtatshme të dokumenteve të tyre tek regjistruesi, pavarësisht nga data e përpilimit të tyre dhe pavarësisht se shënimi në kartelë mund të vonohet”. Ky është neni 10 i ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, i bërë në vitin 1994 dhe që prej ditës së djeshme i është rikthyer sërish kësaj forme, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të shpallte si antikushtetuese dy paragrafët e shtuar atij tri vite më parë. Në vitin 2007, nenit 10 të ligjit të pronave iu shtuan dy paragrafë, sipas të cilëve, i jepej kompetencë kryeregjistruesit që të fshijë emrat pronarëve që kanë regjistruar të njëjtën pronë. Në këtë rast, pronësia i mbetej vetëm të parit, ndërsa të tjerët fshiheshin dhe rruga e vetme për të zgjidhur problemet e pronësisë mbetej gjykata. “Në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil, duke bërë shënimin në kolonën përkatëse. Deri në nxjerrjen e vendimit të kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, si dhe njofton palën/palët e interesuara brenda 10 ditëve. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse”, thuhej në paragrafin e parë të këtij neni, ndërsa në të dytin pohohej se: “Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Në rast të mosmarrjes së vendimit nga kryeregjistruesi, zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile. Vendimi i kryeregjistruesit i njoftohet palës/palëve të interesuara brenda 10 ditëve dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse”. Po kështu Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar edhe paragrafin e dytë të nenit 39/a të këtij ligji, në të cilin parashikohej se: “Nëse regjistruesi ¸sht¸ ven¸ n¸ dijeni se nj¸ regjistrim i m¸parsh¸m ¸sht¸ kryer n¸ kundërshtim me k¸t¸ nen, at¸her¸ ai procedon sipas nenit 10 t¸ k¸tij ligji”. Po kështu Avokati i Popullit kishte kërkuar edhe shfuqizimin si antikushtetues të neneve 2 dhe 6 të udhëzimit numër një të Qeverisë, datë 31 janar 2007 “Për procedurat e regjistrimit në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Po gjykata, pas analizimit të pretendimeve të palëve, pohoi se për këtë akt normativ Avokati i Popullit nuk ka parashtruar argumente, duke u mjaftuar me referimin tek argumentet për antikushtetutshmërinë e pjesëve që u shfuqizuan më parë nga ligji i pronave. Për më tepër, ky udhëzim kishte dalë para shtesave të ligjit, duke e çuar gjykatën në përfundimin se baza ligjore e udhëzimit nuk ka lidhje me shtesat ligjore. “Për rrjedhojë, përderisa ndërmjet përmbajtjes së këtij udhëzimi të Qeverisë dhe neneve 10, e 39/a të ligjit të pronave, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë, si dhe duke pasur parasysh mosparashtrimin nga ana e kërkuesit të ndonjë argumenti kushtetues për antikushtetutshmërinë e aktit objekt shqyrtimi, Gjykata konkludon se në lidhje me këtë pretendim, kërkesa nuk duhet pranuar”.
Vendimi i KUSHTETUESES
Shfuqizohen:
Ligji numër 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të shtuar me Ligjin numër 9701, datë 02.07.2007 “Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin numër 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Pikat dy dhe tre të nenit 10
2 - “Në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil, duke bërë shënimin në kolonën përkatëse. Deri në nxjerrjen e vendimit të kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, si dhe njofton palën/palët e interesuara brenda 10 ditëve. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse.
3 – Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Në rast të mosmarrjes së vendimit nga kryeregjistruesi, zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile. Vendimi i kryeregjistruesit i njoftohet palës/palëve të interesuara brenda 10 ditëve dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse”.
Pika dy e nenit 39/a
Nëse regjistruesi është vënë në dijeni se një regjistrim i mëparshëm është kryer në kundërshtim me këtë nen, atëherë ai procedon sipas nenit 10 të këtij ligji”.
Udhëzimi i Këshillit të Ministrave numër 4, datë 21.11.2007, “Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
Nuk shfuqizohen:
Nenet 2 dhe 6 të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave numër 1, datë 31.01.2007 “Për procedurat e regjistrimit në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
Dobjani: Ata që më sulmuan ishin autorët e ligjit
“Pronat”, demokratët sulm Avokatit të Popullit në Komisionin e Ligjeve
TIRANE - Dërgimi i ligjit të pronave nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese nxiti debat politik pak kohë më parë, kulmi i të cilit ishte prezantimi i raportit vjetor të Avokatit të Popullit në komision parlamentar të ligjeve, më datë 31 mars të këtij viti. Dy deputetët demokratë, Eduard Halimi dhe Enkelejd Alibeaj, duke u nisur nga ky rast, e sulmuan institucionin e Ombusmanit, duke e quajtur klientelist dhe preferencial në kërkesat dhe mbrojtjen e çështjeve të caktuara. Sipas tyre, Avokati i Popullit ishte vënë në lëvizje nga një firmë ndërtimi, të cilës i ishin cenuar interesat. I menjëhershëm ishte atëherë edhe reagimi i ish-Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, i cili pohoi se ishte njohur nga mediat me sulmin që ishte bërë në Komisionin e Ligjeve ndaj institucionit që ai kishte drejtuar për 10 vjet. “Duke përfituar nga mosprania ime dhe komisioneres Florina Nuni, e cila ka mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese çështjet për të cilat u debatua, deputetët Eduard Halimi dhe Enkelejd Alibeaj kanë sulmuar politikisht institucionin e Avokatit të Popullit. Nuk ka aspak qëndrim klientelist në tri ligjet e ankuara në Kushtetuese, pasi nëse do të ishin të tilla, atëherë Kushtetuesja do i kishte rrëzuar dhe jo t’i pranonte siç ka vepruar në fakt. Për më tepër që kjo gjykatë ende nuk i ka zbardhur vendimet për këto tri çështje”, pohoi atëherë Dobjani, duke pretenduar se sulmi i deputetëve Halimi dhe Alibeaj vjen për shkak se ata si drejtues të Ministrisë së Drejtësisë në kohën që janë bërë ligjet, duhet të mbajnë përgjegjësi për bërjen e ligjeve antikushtetues dhe për të larguar përgjegjësinë nga vetja sulmojnë institucionin e Avokatit të Popullit. Puna e avokatit të Popullit u kritikua në Komisionin e Ligjeve për herë të parë pas 10 vitesh, në lidhje me çështjet që ka marrë në shqyrtim dhe që ka dërguar në gjykatë. Sipas Avokatit, ligji i pronave i jepte kryeregjistruesit kompetencat e gjykatës, duke e vënë atë mbi gjykatat. Gjatë debatit, deputeti Halimi është shprehur se Kushtetuesja nuk duhej ta merrte në shqyrtim këtë dosje të dërguar nga avokati, ndërsa ky i fundit e quajti këtë pretendim si cenim të pavarësisë institucionale. fa.ma.